Efektet e tarifave të çelikut dhe aluminit në SHBA

Amerika

Efektet e tarifave të çelikut dhe aluminit në SHBA

Më: 16 mars 2018 Në ora: 19:45
SHBA

Tarifat e propozuara nga presidenti Donald Trump për çelikun dhe aluminin kanë shkaktuar një debat të nxehtë në Shtetet e Bashkuara që nuk ndjek linjat tradicionale partiake. A është ky hap i administratës një ndihmë për punëtorët amerikanë apo fillimi i një lufte tregtare? Emisioni Plugged Inn i Zërit të Amerikës me gazetaren Greta Van Susteren shqyrton pluset dhe minuset e këtyre tarifave, ndikimin dhe historinë e tyre për mallrat e importuara në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti Donald Trump nënshkroi javën e kaluar ligjin që vendos tarifa mbi importet e aluminit dhe çelikut, në emër të sigurisë kombëtare.

"Ne duam të ndërtojmë anijet tona, duam të ndërtojmë avionët tanë, duam të ndërtojmë pajisjet tona ushtarake me çelikun dhe aluminin e vendit tonë."

Duke cituar nevojën e sigurisë kombëtare, presidenti Trump e anashkaloi Kongresin për vendosjen e tarifave.

Në emisionin e Zërit të Amerikës me gazetaren Greta Van Susteren, Sekretari i Tregëtisë Wilbur Ross theksoi se përkufizimi i sigurisë në ligj është i gjerë.

“Ai përfshin faktorë si efektet në punësim, përfshin faktorë si vazhdimi i gjendjes së shëndetshme të industrive kritike, përfshin shumë gjëra që normalisht nuk i mendon si çështje të sigurisë kombëtare. Por kemi dëgjuar disa nga këshilltarët tanë të sigurisë kombëtare dhe Departamentin e Mbrojtjes të përsërisin vazhdimisht se siguria ekonomike është siguri kombëtare."

Sekretari Ross argumenton se tarifat mund të nxisin rritjen ekonomike dhe të shtojnë vendet e punës në industrinë e çelikut dhe të aluminit, ndërsa do të kenë efekte të kufizuara në industritë amerikane që mbështeten tek këto metale:

"Pra, nëse e masim ndikimin plotësisht me 25 përqind tarifë të plotë të aplikuar në të gjithë çelikun e importuar, dhe nëse këtë do të kalonim në çmimin e një makine, do të ishte katër dollarë në muaj rritje çmimi në një makinë mesatare. Pra, kjo është një sasi, por nuk është diçka që do të shkaktonte papunësi masive në industrinë e automobilave. Plus, ekonomia është vërtet shumë e fortë tani”, tha sekretari Ross.

Shumë ligjvënës republikanë nuk bien dakort.

“Ka shumë shqetësime në mesin e senatorëve republikanë se kjo mund të kthehet në një luftë më të madhe tregtare. Dhe shumë nga anëtarët tanë po diskutojnë me administratën se sa e gjërë, dhe gjithëpërfshirëse mund të jetë kjo lëvizje. Ka një nivel të lartë shqetësimi për ndërhyrjen në atë që duket të jetë një ekonomi në rritje”, tha kreu i shumicës në Senat, Mitch McConnell.

Kanadaja dhe Meksika, që përbëjnë rreth 90 përqind të importit të çelikut në Shtetet e Bashkuara, janë të përjashtuar tani për tani nga tarifat. Por jo Evropa dhe Azia. Ligjvënësi Mike Bost argumenton se Kina ka nevojë të pakësojë prodhimin për të barazuar aftësitë konkurruese.

"Le të analizojmë se çfarë po bëjnë. Ata por prodhojnë gati gjysmën e çelikut dhe po e shpërndajnë në vende të tjera dhe më pas këto vende hyjnë në tregun tonë.”

Ekonomisti Jacob Funk Kirkegaard nuk është dakort me veprimet e njëanëshme:

"Mendoj se problemi është se ekziston një rrugë shumëpalëshe për të zvogëluar kapacitetin kinez. Është e vërtetë se kjo përpjekje ka qenë e ngadaltë. Jam i pari që do ta pranoja këtë. Por është një qasje shumëpalëshe ndaj kësaj çështje dhe mendoj se kjo e fundit ka shansin më të mirë për të pasur sukses ", tha Jocob Funk Kirkegaard me Institutin Peterson për Ekonomitë Ndërkombëtare.

Produktet amerikane si mokoçikletat Harley Davidson janë vënë në shënjestër për tarifa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Por sekretari Ross mendon se ndikimi do të jetë minimal.

"Për çfarë shume bëhet fjalë? Po flasim për rreth tre miliardë e gjysmë dollarë produkt. Tre miliardë e gjysmë dollarë janë zero pikë 2 përqind e PBB-së tonë. Pra, për ekonominë tonë në tërësi, kjo nuk përbën shqetësim", tha zoti Ross./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat