Shtëpia e Bardhë hedh poshtë njoftimet për shkarkimin e këshilltarit McMaster

Amerika

Shtëpia e Bardhë hedh poshtë njoftimet për shkarkimin e këshilltarit McMaster

Më: 16 mars 2018 Në ora: 15:08
McMaster

Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë një njoftim të gazetës Washington Post, ku thuhej se Presidenti Trump ka vendosur ta zëvendësojë këshilltarin e tij të sigurisë kombëtare, Gjeneralin H.R. McMaster. Të ejten vonë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, shkroi në Twitter se njoftimet për largimin e zotit McMaster nuk ishin të vërteta.

Gazeta Washington Post tha se heqja e Gjeneralit McMaster nga detyra është pjesë e një ndryshimi të madh në nivelet më të larta të administratës, duke shkaktuar frikë se do të ketë largime të tjera nga Shtëpia e Bardhë. Dy prej emrave të mundshëm, që gazeta Washington Post përmend për zëvendësimin e gjeneralit McMaster, janë John Bolton, ish ambasador në OKB dhe Keith Kellogg, shefi i tanishëm i personelit të Këshillit të Sigurimit Kombëtar.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Sanders tha se Presidenti Trump dhe Gjenerali McMaster kanë një marrëdhënie të mirë pune dhe se nuk ka ndryshime në Këshillin Kombëtar të Sigurisë.

Megjithatë, më herët të enjten Sanders tha se në çdo moment mund të ndodhin ndryshime.

"Me kalimin e kohës në çdo administratë ka ndryshime të përparësive, për realizimin e të cilave duhet përqendrim dhe njerëz të ndryshëm. Prandaj, herë pas here mund të ketë ndryshime. Megjthatë, Presidenti është i angazhuar të sigurojë njerëzit e duhur, në vendin e duhur në kohë të duhur", tha Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.

Njoftimi për heqjen nga puna të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare, McMaster pason shkarkimin e papritur të Sekretarit të Shtetit Rex Tillerson disa ditë më parë.

Të enjten, duke folur me gazetarët, presidenti Trump la të kuptohej se priten ndryshime të tjera: "Gjithmonë do të ketë ndryshime. Besoj se edhe ju doni të shihni ndryshime. Unë dua të shoh mendime të ndryshme".

Nëse Presidenti Trump vendos ta shkarkojë nga detyra, McMaster do të bëhej Këshilltari i dytë i Sigurisë Kombëtare që do të largohej nga puna që kur Trump mori detyrën më 20 janar to vitit të kaluar.

I pari, Michael Flynn, u shkarkua disa javë pas marrjes së detyrës në vitin 2017, pasi kishte gënjyer zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë rreth kontakteve të tij me rusët./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat