Republikanët thonë se nuk ka pasur bashkëpunim në mes të Rusisë dhe Trumpit

Amerika

Republikanët thonë se nuk ka pasur bashkëpunim në mes të Rusisë dhe Trumpit

Më: 13 mars 2018 Në ora: 08:32
Demokrati Adam Schiff dhe republikani Mike Conaway

Republikanët në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës së Përfaqësuesve kanë thënë se paneli ka përfunduar hetimet mbi përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016, dhe ka ardhur në përfundim se nuk ka pasur bashkëpunim në mes të Kremlinit dhe fushatës së presidentit Donald Trump.

Draft-raporti që u publikua në media më 12 mars, u prit mirë nga Trumpi por u hodh poshtë menjëherë nga përfaqësuesit demokratë të komitetit.

Në raport, republikanët thanë se janë pajtuar që Rusia ka kërkuar që të ndikojë në zgjedhje, duke përhapur propagandë dhe lajme të rreme në lajme dhe media sociale.

Përfaqësuesi republikan, Mike Conaway, që ka udhëhequr hetimet e këtij paneli, i ka prezantuar para mediave të gjeturat e raportit.

“Nuk kemi gjetur asnjë dëshmi të bashkëpunimit”, u ka thënë ai gazetarëve, duke shtuar se “gjykimi i papërshtatshëm i takimeve” me rusët ka qenë i vetmi gabim që ka bërë stafi i fushatës së Trumpit.

Ndërkaq, demokrati Adam Schiff, ka thënë se kundërshton fuqishëm raportin, duke shtuar se hetimi i komitetit nuk është i përfunduar, por, sipas tij, të dhënat e deritashme tregojnë “qartë” se Rusia është munduar të ndihmojë Trumpin dhe të dëmtojnë rivalen e tij demokrate, Hillary Clinton gjatë zgjedhjeve presidenciale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat