Richard Gates pritet të pranojë fajësinë

Amerika

Richard Gates pritet të pranojë fajësinë

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 18:59
Richard Gates

Richard Gates, ish këshilltar i lartë gjatë fushatës elektorale të presidentit Trump dhe ndihmës i afërt i kryetarit të ekipit elektoral Paul Manafort, pritet të pranojë fajësinë për akuzat e ngritura nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller në kuadër të hetimeve për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet amerikane.

Burime të afërta me zotin Gates thonë se ai mund t'i pranojë akuzat që sot. Kjo shihet si një sinjal se ai mund të ketë rënë dakort të bashkëpunojë me prokurorin e posaçëm Mueller në kuadër të hetimeve. Një ditë më parë juria në Virxhinia ngriti 32 akuza për shmangie taksash dhe mashtrime bankare, për Richard Gates dhe Paul Manafort.

Akuzat e reja iu shtohen atyre të mëparshme për pastrim parash dhe mosregjistrim si agjentë të huaj, në lidhje me punën e tyre për politikanë pro-rusë në Ukrainë.

Zoti Manafort akuzohet se me ndihmën e zotit Gates, pastroi mbi 30 milionë dollarë përmes llogarive të fshehta në parajsa fiskale dhe “e përdori pasurinë e tij jashtë vendit për mbështetur financiarisht një jetesë luksoze në Shtetet e Bashkuara, pa paguar taksa për këto të ardhura”./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat