Presidenti Trump bën të njohur një plan të ri për infrastrukturën

Amerika

Presidenti Trump bën të njohur një plan të ri për infrastrukturën

Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 21:21
Presidenti amerikan Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump shpalli të hënën planin e tij të shumëpritur për përmirësimin e infrastrukturës së vendit. Ai e diskutoi nismën me zyrtarë lokalë dhe të shteteve.

Plani synon t'i shndërrojë fondet federale prej 200 miliardë dollarësh në një investim prej 1,5 trilion dollarësh, për riparimin e rrugëve, urave, hekurudhave dhe objekteve të tjera të infrastrukturës amerikane.

Në një mesazh në Twitter, presidenti Trump tha se “kjo do të jetë një javë e rëndësishme për infrastrukturën. Pas shpenzimit me budallallëk prej 7 trilionë dollarësh në Lindjen e Mesme, tani është koha që të fillojmë të investojmë në vendin tonë!”

Në takimin me zyrtarët nga i gjithë vendi në Shtëpinë e Bardhë, zoti Trump tha se shpenzimet ushtarake në Lindjen e Mesme e kishin lënë rajonin “më keq se sa ishte para 17 vjetësh kur ne hymë aty”.

“Ne do të ndërtojmë. Do të mirëmbajmë. Rrugët tona janë në gjendje të keqe. Ne do të modernizojmë”, tha zoti Trump.

Ai premtoi se procesi për lejet për ndërtimin do të reduktohej “nga 10 vjet në dy vjet, ose ndoshta një vit. Uashingtoni do të jetë partneri juaj”.

Fondet federale prej 200 miliardë dollarësh do të nxirreshin nga shkurtimi i disa programeve ekzistuese. Prej tyre gjysma do të përdoreshin për një program nxitës, për mbështetjen me të njëjtën sasi fondesh nga qeveria qendrore, të fondeve me të njëjtën vlerë nga qeveritë shtetërore e lokale.

Rreth 50 miliardë do të përdoreshin për projektet rurale në formën e një pakete grantesh për shtetet.

20 miliardë të tjerë do të përdoreshin për "programet transformuese", që synojnë projekte të reja inovatore; 20 miliardë do të shkonin për zgjerimin e programeve të huave dhe bondet për aktivitet privat dhe 10 miliardë të tjera do të shkonin për një "fond për financimin e kapitalit".

Plani i Presidentit, po ashtu synon shkurtimin e kohës dhe shpenzimeve për marrjen e lejeve fedarale për jo më tepër se dy vjet. Akltualisht, ky procesi mund të marrë 5 deri në 10 vjet.

"Propozimi i Presidentit Trump për infrastrukturën është një katastrofë", tha Shelley Poticha, e Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore. "Ai nuk ofron investimet e nevojshme për vendin tonë për shekullin e 21-të. Madje më keq akoma, plani i tij përfshin një dhuratë për korporatat, duke mos marrë parasysh aspektet mjedisore." - tha ajo.

Por Jay Timmons, president i Këshillit për Mbrojtjen e Burimeve Natyrore e vlerësoi zotin Trump se "ka ofruar drejtimin për të cilin ne kemi patur aq shumë nevojë për rikthimin e Amerikës në vendin e duhur, si udhëheqës botëror për infrastrukturën e vërtetë të shekullit të 21-të.”

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat