Reagime pas akuzave ndaj ish-ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë

Amerika

Reagime pas akuzave ndaj ish-ndihmësve të Shtëpisë së Bardhë

Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 23:11
Këshilltarja Conway tha se nuk kishte qasje në raportet hetimore të FBI-së, por shtoi se nuk kishte arsye të mos i besonte gratë.

Një këshilltare e rëndësishme e Presidentit Donald Trump i ka dalë në mbrojtje mënyrës si reagoi Shtëpia e Bardhë pasi u bë e ditur se një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë akuzohej se kishte keqtrajtuar fizikisht ish-bashkëshortet.

Këshilltarja e presidentit Kellyanne Conway tha për rrjetin CNN të dielën se “është shumë e qartë” që Rob Porter, i cili kontrollonte dhe klasifikonte dokumentet që silleshin në adresë të presidentit dhe që kishte punuar për të hartuar fjalimin e zotit Trump për gjendjen e vendit, ndërmori veprimin e duhur duke dhënë dorëheqjen pasi dy gra, të cilat kishin qenë të martuara me të, e akuzuan se ai kishte ushtruar dhunë fizike ndaj tyre gjatë martesës.

Por zonja Conway iu kundërvu njoftimeve në media se shefi i personelit, John Kelly dhe këshilltari ligjor i Shtëpisë së Bardhë Donald McGahn e dinin prej muajsh që FBI-ja kishte zbuluar gjatë vetingut të zotit Porter se ndaj tij kishte pasur akuza për dhunë fizike ndaj grave, por nuk kishin vepruar.

Këshilltarja Conway tha se nuk kishte qasje në raportet hetimore të FBI-së, por shtoi se nuk kishte arsye të mos i besonte gratë. Ajo tha se ishte tmerruar dhe tronditur kur kishte dëgjuar akuzat kundër zotit Porter me të cilin ajo tha se kishte pasur marrëdhënie shumë të mira profesionale.

Një tjetër punonjës i Shtëpisë së Bardhë, David Sorenson që punonte për të përgatitur fjalimet e presidentit, dha dorëheqjen të premten, pasi ish-bashkëshortja e tij e akuzoi se e kishte abuzuar fizikisht dhe emocionalisht gjatë martesës. Ai i hodhi poshtë me forcë akuzat, duke thënë se në fakt ishte bashkëshortja që e kishte keqtrajtuar atë.

Një nga bashkëshortet e zotit Porter publikoi një fotografi ku ajo shihet që ka një sy të nxirë, pasi thotë se Porter e qëlloi me grusht gjatë pushimeve në Itali. Bashkëshortja tjetër kishte kërkuar urdhër nga gjykata që ai të mos i afrohej asaj nga frika për sigurinë e jetën.

Rob Porter ka qenë një ndër ndihmësit kryesorë të John Kelly-t, shefi i personelit të Shtëpisë së Bardhë. Njoftohet se zoti Kelly i kishte shprehur presidentit se ishte i gatshëm të jepte dorëheqjen, pas reagimeve të forta që krijuan komentet e tij në mbrojtje të zotit Porter.

Të shtunën presidenti foli pozitivisht për punën e ish-ndihmësit të tij, Porter, dhe vuri në pikëpyetje akuzat e ngritura ndaj tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat