Presidenti Trump fillon procesin e hartimit të buxhetit

Amerika

Presidenti Trump fillon procesin e hartimit të buxhetit

Më: 27 shkurt 2017 Në ora: 16:31
Presidenti Donald Trump

Presidenti Donald Trump ka filluar procesin e gjatë të prezantimit të buxhetit federal me propozime për të rritur shpenzimet për mbrojtjen dhe shkurtime në Departamentin e Shtetit dhe institucione të tjera si Agjencia e Mbrojtjes së Mjedisit.

Zyrtarë të administratës thanë se Shtëpia e Bardhë po u përcjell agjencive një njoftim me hollësi buxhetore që pasqyrojnë vizionin e saj. Zyra e Shtëpisë së Bardhë për Menaxhim dhe Buxhet tha se hollësi të tjera mbi buxhetin do të bëhen të ditura nga mesi i muajit mars.

Gjatë fushatës, zoti Trump premtoi në mënyrë të përsëritur mbështetjen për ushtrinë dhe të premten ai u zotua të zbatonte “një ndër fuqizimet më të mëdha ushtarake në historinë e Amerikës”.

Ai tha gjithashtu se nuk do të ketë shkurtime të programeve në mbështetje të të moshuarve me pensione dhe kujdes shëndetësor.

Propozimet që dolën sot mund të ndryshojnë gjatë procesit të gjatë të hartimit të projekt-buxhetit për vitin fiskal 2018 që fillon në tetor të këtij viti.

Agjencitë amerikane paraqesin propozimet e tyre mbi nevojat e tyre dhe buxhetin që u nevojitet për të përmbushir misionet e tyre; fjala e fundit i takon Kongresit për të miratuar shpenzimet federale.

Presidenti Trump takohet sot në Shtëpinë e Bardhp me kreun e Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan dhe kreun e shumicës republikane në Senat, Mitch McConnell. Nesër presidenti flet para një sesioni të përbashkët të të dyja Dhomave të Kongresit në fjalimin e parë të rëndësishëm të presidencës së tij të re.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat