E ardhmja e NATO -s, europianët samit me Obamën

Amerika

E ardhmja e NATO -s, europianët samit me Obamën

Më: 18 nëntor 2016 Në ora: 20:27
Krerët e fuqive kryesore europiane ne mbledhje

Krerët e fuqive kryesore europiane u mblodhën këtë të premte në Berlin për një Samit të fundit me Presidentin në ikje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Në tryezën e përbashkët në kryeqytetin gjerman ishin udhëheqësit e Francës, Britanisë së Madhe, Italisë dhe Spanjës. Ashtu si presidenti Obama, që u shfaq optimist të enjten për të ardhmen e përbashkët në NATO edhe gjatë administratës Trump, krerët e shteteve gjithashtu ranë dakort se Aleanca e Atlantikut të Veriut duhet të vijojë të funksionojë si një trup i vetëm.

Obama tha të enjten se e inkurajon qasjen konstruktive të Trump ndaj Rusisë, por presidenti i zgjedhur duhet të ketë kujdes të mos i nënshtrohet Moskës. Pavarësisht sigurive që dha presidenti në ikje, e ardhmja politike e Donald Trump në raport me Europën dhe NATO-n mbetet e pasigurt. Shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë ka shprehur admirim për Rusinë, si edhe ka dalë hapur kundër marrëveshjes së klimës së firmosur nga Obama.

Trump ka shtuar shqetësimet me emërimet në postet kyçe të administratës së re. Në departamentin e Sigurisë, njëherësh Prokuror i Përgjithshëm, Trump emëroi Senatorin e Alabamës, Jef Seshëns. Ai ka një të shkuar të zymtë, pasi në karrierën e tij si prokuror regjistron një shkarkim për akuza raciste. Një tjetër emërim i shumëpërfolur është ai i Majk Pompeos, si drejtori i ri i CIA-s dhe Gen Majkëll si këshilltar i Sigurisë Kombëtare, që njihet si një nga kritikët më të mëdhenj të presidentit në detyrë Obama.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat