Trump: Mbrojtja e aleatëve të NATO-s, me kushte

Amerika

Trump: Mbrojtja e aleatëve të NATO-s, me kushte

Më: 21 korrik 2016 Në ora: 18:21
Donald Trump

Kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale, Donald Trump foli dje për qëndrimin që do të mbajë gjatë presidencës së tij ndaj Aleancës së NATO-s. Zoti Trump tha për gazetën The New York Times, se do të vërë kushte për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s ndaj një sulmi të mundshëm. Ai e vuri në pikëpyetje nenin e Aleancës lidhur me angazhimin për një mbrojtje automatike të anëtarëve të aleancës, duke thënë se fillimisht do të shihte kontributin e tyre në NATO.

Zoti Trump, i bëri komentet i pyetur nëse do t’i mbronte vendet balltike nga veprimtaritë kërcënuese të Rusisë. Ai tha se nëse Rusia i kërcënonte, ai do të vendoste nëse do t’i ndihmonte apo jo, pasi të vërtetonte nëse i kishin plotësuar angazhimet e tyre. Ai tha se do t’i detyronte aleatët që të mbulonin koston e mbrojtjes që Shtetet e Bashkuara e kanë përballuar prej dekadash, do të anullonte traktate që i sheh si të pafavorshme dhe do të ripërkufizonte se ç’do të thoshte të jesh partner i Shteteve të Bashkuara. Gazeta e citon zotin Trump të thotë se bota duhet të mësohet me qëndrimin e tij.

Komentet e zotit Trump binin ndesh edhe me deklaratat e kandidatit të tij për nënpresident Mike Pence dje që foli për një qëndrim përkrah aleatëve. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha për BuzzFeed News se “solidariteti mes aleatëve është një vlerë jetike e NATO-s. Kjo është në favor të sigurisë evropiane dhe në favor të sigurisë amerikane. Ne mbrojmë njëri-tjetrin”.

Reagime pati edhe nga presidenti i Estonisë dhe ekspertë të marrëdhënieve ndëratlantike.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat