Protestuesit kërkojnë shkurtimin e fondeve për policinë e Nju Jorkut

Amerika

Protestuesit kërkojnë shkurtimin e fondeve për policinë e Nju Jorkut

Më: 9 korrik 2020 Në ora: 18:35
Nju Jork

Qindra demostrues vazhdojnë të qëndrojnë para ndërtesës së bashkisë së Nju Jorkut duke protestuar me kërkesat për shkurtime masive të buxhetit të policisë së atij qyteti. Lëvizja për “shkurtimin e fondeve të policisë” u nxit nga vdekja e afrikano-amerikanit George Floyd ndërsa ishte i ndaluar nga policia. Vdekja e tij është bërë pikë kulmore e një debati të gjerë rreth zbatimit të ligjit nga policia dhe racës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Celia Mendoza sjell më shumë hollësi nga qyteti i Nju Jorkut.

Valdemar Santo është bashkuar me qindra protestues para ndërtesës së bashkisë së Nju Jorkut, duke bërë thirrje për reforma dhe shkurtime të buxhetit për një prej departamenteve më të mëdha të policisë në Shtetet e Bashkuara.

“Shumë kohë më parë, policia qëlloi dy herë një prej vëllezërve të mi. Që nga ajo kohë nuk kam simpati për ta", tha ai.

Policia e qytetit të Nju Jorkut ka një buxhet që llogaritet të jetë më shumë se gjashtë miliardë dollarë.

Protestuesit duan që të paktën një miliardë dollarë nga ky buxhet i policisë të shkojnë për sherbimet sociale. Bill de Blasio është kryebashkiak i qytetit të Nju Jorkut.

“Do të transferojmë fondet nga policia për nisma rinore dhe shërbimet sociale”, tha ai.

Disa efektivë policie paralajmërojnë se nëse ka shumë shkurtime buxheti, qyteti mund të përjetojë shtimin e krimit, kryesisht vrasjet, të cilat tashmë janë në rritje në Nju Jork.

Anëtari i Këshillit të Nju Jorkut Ritchie Torres nga distrikti 15 në Bronks tha për Zërin e Amerikës se synimi i shkurtimit të fondeve për policinë nuk është që të bëjë njerëzit më pak të sigurtë, por të krijojë një mjedis ku policia nuk është linja e vetme e mbrotjes.

“Ekziston një konsensus për të ulur në mënyrë të ndjeshme buxhetin e polcisë së Nju Jorkut. Duhet të largojmë nocionin se policia apo linjat e emergjencës janë përgjigja për çdo problem”, tha ai.

Shkurtimet mund të nënkuptojnë shtyrjen e planit për të punësuar më shumë se 1 mijë policë të rinj, dhe policët e sigurisë nëpër shkolla do të hiqen. Abraham Bautista është protestues në Nju Jork.

“Edhe nëse bëjnë shkurtime buxheti dhe gjërat janë njëlloj, kemi të njëjtët drejtues, asgjë nuk do të ndryshojë, gjërat do të vazhdojnë ashtu siç janë”, tha ai.

Nëse kërkesat e tyre nuk përmbushen, protestuesit thonë se do të vazhdojnë demostratat para bashkisë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat