Dështon sulmi te Zona 51

Amerika

Dështon sulmi te Zona 51

Më: 21 shtator 2019 Në ora: 22:19
Ilustrim

Frika se mijëra njerëz mund të sulmonin Zonën 51, rezultoi e pabazë.

Vetëm pak njerëz mbërritën në bazën ushtarake sekrete amerikane, në ditën e paralajmëruar në rrjetet sociale.

Në fakt, kanë qenë me miliona ata që iu përgjigjën në Facebook një ftese për të sulmuar bazën në Nevada, më 20 shtator, për të parë alienët.

Por askush nuk tentoi të hynte në kamp dhe vetëm një person u arrestua, pasi kishte urinuar pranë portës së bazës.

Zona 51 përflitet prej kohësh se mban sekrete për jetën jashtëtokësore.

Në qershor, Matty Roberts, një student nga Kalifornia, postoi në Facebook një ftesë për të sulmuar bazën në numra të mëdhenj, me qëllim që të kalohej gardhi i sigurisë.

Brenda pak ditësh nga publikimi, ftesa u bë virale, pushtoi faqet e para të gazetave në të gjithë botën dhe më shumë se 3 milionë njerëz shprehën interes të merrnin pjesë.

Sidoqoftë, autoritetet paralajmëruan se nuk do të tolerohej asnjë ndërhyrje në bazë. Dhe këto paralajmërime duket se i dhanë frytet e veta. Vetëm rreth 75 persona u paraqitën para portës kryesore dhe askush nuk tentoi të hynte.

“Sulmi” ishte më shumë një lloj festimi modest, me entuziastët që ishin veshur si alienë dhe që mbanin pankarta në duar. Zona 51 u krijua gjatë kohës së Luftës së Ftohtë si një vend testimi dhe prodhimi avionësh. Fshehtësia që e rrethon, ka bërë që të lindin një mori teorish konspirative.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat