SHBA, Pelosi shtyn zyrtarisht fjalimin e Presidentit

Amerika

SHBA, Pelosi shtyn zyrtarisht fjalimin e Presidentit

Më: 23 janar 2019 Në ora: 22:11
Donald Trump dhe Nancy Pelosi

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi e shtyu zyrtarisht fjalimin e Presidentit Donald Trump për gjendjen e vendit deri në hapjen e plotë të qeverisë.

Demokratja nga Kalifornia i shkruante zotit Trump të mërkurën se Dhoma e Përfaqësuesve kontrolluar nga demokratët nuk do të miratojë rezolutën e kërkuar që lejon presidentin të mbajë fjalimin tradicional përpara Kongresit.

Zonja Pelosi e ndërmori këtë hap vetëm pak orë pasi Presidenti Trump e njoftoi se kishte në plan ta mbante fjalimin të martën më 29 janar, në përputhje me ftesën e saj të mëparshme.

Letra e zonjës Pelosit e ka detyruar Shtëpinë e Bardhë të përpiqet për të hartuar një plan alternativ për fjalimin, i cili është një nga mundësitë më të mëdha që tradicionalisht i jepet presidentit për të paraqitur programin e tij përpara publikut.

Zonja Pelosi shkruante: "Mezi pres që t'ju mirëpres në Dhomën e Përfaqësuesve në një datë të vendosur bashkërisht për këtë fjalim kur qeveria të jetë hapur.''

Presidenti Trump tha se nuk është i befasuar që Kryetarja e Dhomës Pelosi zyrtarisht po e shtyn mbajtjen e fjalimit nga ana e tij. Ai shtoi se zonja Pelosi nuk dëshiron ta dëgjojë të vërtetën.

Ai tha se demokratët janë "radikalizuar" dhe "nuk duan të shohin ndalimin e krimit, që ne mund ta bëjmë shumë lehtë në kufirin jugor". Ai ia hodhi fajin atyre që i quajti "demokratë super të majtë".

Trump u pyet për letrën e zonjës Pelosi gjatë një takimi për kujdesin shëndetësor në Shtëpinë e Bardhë. Ai u pyet gjithashtu për mbylljen e qeverisë që po hyn në muajin e dytë.

Presidenti tha: “Kjo do të vazhdojë për një kohë. Në fund të fundit, populli amerikan do ta gjejë zgjidhjen, sepse ai nuk dëshiron të shohë krime (nga njerëzit që hyjnë në kufi).

Bllokimi i financimit të një muri në një pjesë të kufirit SHBA-Meksikë ka çuar në mbylljen më të gjatë të qeverisë në historinë amerikane.

Presidenti Trump synon ta mbajë fjalimin të martën siç është planifikuar./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat