Mashtrohet familja kosovare, paguan 20 mijë euro për shërbimin e vajzës

Aktuale

Mashtrohet familja kosovare, paguan 20 mijë euro për shërbimin e vajzës

Më: 7 mars 2014 Në ora: 11:47

Në përpjekje për të shëruar vajzën e mitur, që kishte pësuar djegie të rënda nga vaji, një familje kosovare pretendon se ka rënë pre e një mashtrimi nga një grua, e cila hiqej si mjeke. Rajmonda A., e cila tashmë do të ulet në bankën e të akuzuarve, për 'mjekim të pakujdesshëm' dhe 'mashtrim me pasoja të rënda', u ka premtuar prindërve të së voglës, S.B, se do ti shëronte vragat e rënda që i kishin mbetur pas djegies. Për shërbimin, familja kosovare pretendon se i ka paguar 'mjekes' shumën prej 20 mijë eurosh. Por, ndërsa prisnin që vajza e tyre të shërohej, gjendja e saj shëndetësore dhe psikologjike është rënduar së tepërmi. Ndaj, babai i të voglës, ka vendosur ta denoncojë 'mjeken' para drejtësisë.
Prokuroria ka zbuluar se Rajmonda A., nuk është me profesion mjeke dhe nuk zotëron licence për të kryer manipulacione mjekësore, ndërhyrje të cilat mund të kryhen vetëm nga mjekë specialistë të kirurgjisë plastike ose estetike, e cila quhet ndryshe "kirurgjia riparuese". Sipas prokurorisë, fakti që Rajmonda A., ka kryer ndërhyrje të këtij karakteri ndaj të voglës, S.B, konsiderohen si elementë të 'krimit mjekësor'.
Për këtë shkak, kjo e pandehur do të përgjigjet para drejtësisë për dy akuza, atë të mjekimit të pakujdesshëm dhe mashtrimit me pasoja të rënda. Procesi ndaj të pandehurës Rajmonda A., sapo ka startuar në Gjykatën e Tiranës, shkruan Gazeta Shqiptare.
Denoncimi i familjes
Historia që në pamje të parë, duket se merr përmasat e një skandali që ka nisur vite më parë, kur R.B është takuar me Rajmonda A., e cila ka marrë përsipër kurimin e vajzës së tij të mitur. Pas disa ecejakesh, më 9 korrik 2013, R.B, i është drejtuar Komisariatit Nr.4 në Tiranë ku ka denoncuar Rajmonda A., për mjekim të pakujdesshëm kryer ndaj vajzës së tij, S.B. E mitura, disa vite më parë ishte djegur me vaj në qafë dhe gushë. Veç të tjerash, S.B ka denoncuar faktin se gruaja, e cila hiqej si mjeke, e ka mashtruar dhe i ka marrë shumën prej 20 mijë eurosh, për ti shëruar të bijën. Por ndërkohë, thekson kallëzuesi, gjendja shëndetësore e së bijës, jo vetëm që nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar. Pas marrjes së këtij kallëzimi, prokuroria ka 'zbarkuar' në 'klinikën' që kishte me qira Rajmonda A., ku ushtronte 'profesionin' e saj, si dhe ka marrë në pyetje të gjithë personat që kishin dijeni për ngjarjen. Gjithashtu, ka urdhëruar që vajza e mitur ti nënshtrohej ekspertimit mjekoligjor.
Aktekspertimet
Pas një hetimi të gjatë, prokuroria në përfundim ka konkluduar me vënien nën akuzë të Rajmonda A., dhe dërgimin e saj para drejtësisë. Provat më të forta të prokurorisë janë përfundimet e ekspertëve të mjekësisë ligjore, të cilat duket se flasin 'kundra' të pandehurës Rajmonda A. "Bazuar në aktin e ekspertimit mjekoligjor nr.1262 datë 30.07.2013, mbi vlerësimin e gjendjes shëndetësore të fëmijës S.B, nga ekspertët mjekoligjorë pas shqyrtimit të dokumenteve dhe ekzaminimit objektiv të kryer, është konkluduar ndër të tjera se "...në trajtimin e shtetases S.B konstatohen elementë të krimit mjekësor, të cilat kanë sjellë pasoja në lidhje me gjendjen shëndetësore të kësaj shtetaseje. Këto elementë të këtij krimi mjekësor janë kryer nga shtetasja, Rajmonda A.", thuhet në dosjen e prokurorisë. Për të patur një hetim gjithëpërfshirës, si dhe për tu dhënë përgjigje të gjitha pyetjeve që duket se ishin të paqarta për prokurorinë, kjo e fundit ka urdhëruar kryerjen e një ekspertize të dytë. "Është kryer akti i ekspertimit mjekoligjor shtesë për çështjen nr.1806, datë 23.10.2013, ku është konkluduar ndër të tjera se "veprimet mjekësore" të kryera nga ana e Rajmonda A., për të cilën nuk disponohet asnjë dokument zyrtar që është e profesionit mjeke dhe të zotërojë licence për të kryer manipulacione mjekësore të këtij karakteri vlerëson si elementë të 'krimit mjekësor', të konsumuar nga kjo shtetase, pasi në rastin konkret, veprimet mjekësore që i takojnë mjekut janë kryer nga persona që nuk e kanë këtë të drejtë të merren me manipulacione dhe veprimtaria mjekësore del jashtë njohurive të tyre shkencore", saktësohet më tej në dosje.
Përkeqësimi i shëndetit
Ekspertët e mjekësisë ligjore, të cilët kanë trajtuar rastin në fjalë kanë dalë në përfundimin se gjendja e vajzës pas mjekimit nuk është përmirësuar, por është përkeqësuar.
"Në këtë aktekspertim konkludohet edhe se gjendja aktuale e fëmijës S.B, pas mjekimit është më e rënduar përsa u përket lezioneve çikatriçeve në qafë dhe fytyrë, për arsye të shfaqjes së lezioneve të reja, krahasuar me periudhën e mëparshme, në vend që të kishte përmirësime të premtuara nga ana e 'mjekes'", saktësohet në dosjen e organit të akuzës. Ndërkaq, prokuroria arsyeton se për arsye të mostrajtimit të duhur mjekësor, evidentohet rëndim i gjendjes psikologjike të fëmijës S.B. Ndërsa në aktin tjetër mjekoligjor nr.2162 datë 17.12.2013 përpiluar në plotësim të detyrave të lëna nga prokuroria, konkludohet ndër të tjera edhe se "...mjekimi dhe metoda e përdorur ndaj pacientes S.B, nuk është metodë shkencore, pasi rasti konkret trajtohet nga fusha e specialitetit të kirurgjisë plastike ose estetike, e cila quhet ndryshe "kirurgjia riparuese".

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat