Njohja nga Vatikani, së shpejti lajme të mira

Aktuale

Njohja nga Vatikani, së shpejti lajme të mira

Më: 4 shtator 2011 Në ora: 21:26

(I plotësuar) - Qytetarët e Kosovës së shpejti pritet të marrin lajme të mira nga Vatikani, sa i përket njohjes së shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Kjo u bë e ditur gjatë takimit që Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të hënën me Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, i cili njëkohësisht është nunci apostolik për Slloveni.

Ministri Hoxhaj, ka falënderuar z. Janusz për përkrahjen e vazhdueshme të Vatikanit për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Hoxhaj po ashtu ka shprehur përkushtimin e institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për forcimin e marrëdhënieve të gjithanshme me Selinë e Shenjtë, duke shprehur bindjen se Vatikani do të ketë rol edhe më të fuqishëm në progresin e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat në të ardhmen.

Në anën tjetër, delegati apostolik i Vatikanit për Republikën e Kosovës, Juliusz Janusz, ka shprehur përkrahjen e gjithanshme të Vatikanit për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Ai ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë dhe ka shprehur përkrahjen e Vatikanit për zhvillimin e mëtutjeshëm të proceseve demokratike në Kosovë.

Sa i përket çështjes së njohjes së Kosovës nga Selia e Shenjtë, Juliusz Janusz ka thënë se shumë shpejt do të kthehet në Kosovë me lajme të mira nga Vatikani, në këtë drejtim.

Juliusz Janusz, delegat apostolik për Republikën e Kosovës i Vatikanit, do të marrë pjesë në Festën e Nënës Terezë, e cila do të mbahet në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Nunci i Vatikanit për Slloveni ka marrë pjesë në meshën e shenjtë të mbajtur të dielën në Prizren.

Juliusz Janosz: Vatikani pritet ta njohë së shpejti Kosovën

Selia e Shenjtë pritet që së shpejti të pranojë pavarësinë e Kosovës, ka thënë Juliusz Janosz, delegat apostolik i Vatikanit për Kosovë.

Pas meshës së shenjtë të mbajtur të dielën në Prizren, Janosz ka thënë për media se vetë prania e delegacionit të Vatikanit në Kosovë është dëshmi për këtë.

“Fakti që nuk jemi të varur nga Nunci i Beogradit, apo prej Nuncit të Shqipërisë, por e kemi një delegat apostolik e ka një domethënie që duhet të lexohet në këtë kuptim”, është shprehur Janosz.

Ndryshe, Juliusz Janosz, delegat apostolik i Vatikanit për Kosovë, do të marrë pjesë nesër në Festën e Nënës Terezë, e cila do të mbahet në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat