"Vizat vështirë se liberalizohen edhe në 2020, ja pse"

Aktuale

"Vizat vështirë se liberalizohen edhe në 2020, ja pse"

Më: 5 dhjetor 2018 Në ora: 09:03
Foto ilustrim

Dukagjin Pupovci ka thënë se afati 2020 për liberalizimin e vizave, është optimist.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës së Edukimit të Kosovës, me anë të një postimi në Facebook ka thënë se liberalizimi nuk duket të jetë as afër.

Lexojeni postimin e tij.

A E KA BASHKIMI EUROPIAN SERIOZISHT PËR HEQJEN E VIZAVE?

U bënë gati 20 vjet që aplikoj për viza Schengen dhe asnjëherë nuk ka qenë më vështirë të merret viza se në 2-3 vitet e fundit. E para, duhet pritur disa muaj për termin për intervistë. E dyta, kur vjen tek sporteli të kërkojnë një traktor dokumente, të nevojshme e të panevojshme. E treta, kur e merr vizën (nëse e merr) befasohesh, sepse ta kanë dhënë për 10 ditë, derisa vizat e mëparshme i ke njëvjeçare.

Sikur BE ta kishte seriozisht heqjen e vizave, hapi i parë do të ishte, i ashtuquajturi, “visa facilitation process”. Marrëveshje të tilla janë lidhur me të gjitha shtetet para heqjes së vizave dhe me to janë lehtësuar kushtet për marrjen e vizave: më pak dokumente, çmimi më i ulët i vizës ose pa pagesë, viza më afatgjate dhe me shumë hyrje, e të ngjashme. Si rregull, këtyre shteteve u janë hequr paraprakisht vizat për pasaporta diplomatike dhe zyrtare, gjë që tek ne akoma nuk ka ndodhur. Pra, derisa BE nuk ka besim tek bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, atëherë si do të ketë besim tek qytetari i zakonshëm?

Pastaj, nëse i shohim statistikat zyrtare të BE në 5 vitet e fundit, do të vërejmë se shkalla e refuzimit të vizave Schengen në Kosovë është rreth 20%, përderisa në nivelin global sillet prej 5-8%.

Në kushte të tilla, edhe parashikimi për heqjen e vizave në vitin 2020 duket shumë optimist.

Image

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat