LDK flet në emër të opozitës, kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për mos liberalizim të vizave

Aktuale

LDK flet në emër të opozitës, kërkojnë seancë të jashtëzakonshme për mos liberalizim të vizave

Më: 4 dhjetor 2018 Në ora: 09:17
Kuvendi i Kosovës

Lidhja Demokratike e Kosovës nëpërmjet një komunikate për media kërkojnë seancë të jashtëzakonshme në lidhje me mos liberalizim të vizave.

Ata për këtë ia hedhin fajin Qeverisë aktuale si dhe kryeministrin e tanishëm Ramush Haradinaj dhe zëvendësin e tij Fatmir Limaj.

“Kryeministri i sotëm dhe zëvendësi i tij Limaj dikur pengonin me dhunë e intriga përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave. Atëherë e fajësonin Bashkimin Evropian, i cili deklaronte se po rrezikohet liberalizimi i vizave deri pas zgjedhjeve të vitit 2019 në Bashkimin Evropian”, thuhet në komunikatën e LDK-së. 

Sipas LDK-së sot, kur ai paralajmërim është bërë fakt, përdoruesit e dhunës dhe intrigave, tash bashkë me partnerët e tyre qeverisës, sërish po fajësojnë Bashkimin Evropian. 

“Dështimin në liberalizimin e vizave dhe anëtarësimin në Interpol po e shesin si dështim të Evropës, në rastin e liberalizimit të vizave, dhe të sigurisë globale, në rastin e Interpolit”, thuhet në komunikatë.

LDK mendon se Kosovës po i mbyllen dyert sepse udhëhiqet prej njerëzve të izoluar.

“Këta po mundohen ta shpërthejnë izolimin e tyre, duke e izoluar Kosovën. Por, Kosova dhe qytetarët e saj do ta shpërthejnë izolimin duke i izoluar këta udhëheqës të papërgjegjshëm”, thuhet në komunikatën e partisë që udhëhiqet nga Isa Mustafa.

LDK kërkon që Kuvendi duhet të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar këtë çështje ndërsa kërkon dorëheqjen e ekzekutivit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat