Deputetët e pozitës e konsiderojnë të panevojshme seancën për politikë të jashtme

Aktuale

Deputetët e pozitës e konsiderojnë të panevojshme seancën për politikë të jashtme

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 12:11
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka dështuar të mbaj sot punimet e seancës plenare ku do të diskutohej me Qeverinë lidhur me politikën e jashtme të Kosovës. Seanca nuk u mbajt për shkak të mungesës së kabinetit qeveritar por edhe deputetëve nga partitë në pushtet.

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi tha se fakti që kjo seancë nuk u mbajt tregon që nuk ka qenë e arsyeshme as të thirret.

Isufi: Nuk ka qenë e arsyeshme të thirret kjo seancë

“Kjo seancë dhe me vet faktin që nuk u mbajt, u pa që nuk ka qenë e arsyeshme as të thirret. Megjithatë konsiderojmë se në javët në vazhdim mund të mblidhet  Kryesia dhe të mbahet seanca.  Kryeministri është në agjendën e tij, për atë arsye ka dërguar letër në Kuvendin e Kosovës që nuk mund të jetë pjesë e seancës për shkak se edhe ai nuk është i ftuar, por është ministri i jashtëm i ftuar, por për hir të korrektësisë, si kryeministër i vendit ka dërguar letër se nuk mund të jetë prezent në seancë”, tha Isufi.

Me një mocion procedural u vendos që Kryesia e Kuvendit të caktojë datën e ardhshme për mbajtjen e kësaj seance.

Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratik e Kosovës, tha se nuk është hera e parë që Qeveria iu ikë përgjegjësive.

Osmani: Shpresoj që në seancën tjetër ministrat nuk i ikin përgjegjësisë

Nuk është hera e parë por kjo është një fushë jashtëzakonisht e ndjeshme dhe ne kemi zhvillime të jashtëzakonshme në politikën e fushës së jashtme, mirëpo tash pas votimit për Interpol, besoj që do të ketë dakordim të grupeve parlamentare për një datë tjetër të përshtatshme kur shpresoj qoftë kryeministri, qoftë ministrat e dikastereve të veçanta nuk do t’i ikin më përgjegjësisë dhe do të dalin të përgjigjen para deputetëve”, tha  deputetja Osmani.

Por, deputeti i Nismës  Milam Zeka tha se seanca të tilla nuk janë të nevojshme. Madje, sipas tij, ato nuk prodhojnë asnjë rezultat.

Zeka: Seanca të tilla nuk kanë kurrfarë peshe

“Seanca të tilla si u mbajtën si nuk u mbajtën, nuk kanë kurrfarë vlere, kurrfarë peshe, as nuk kanë peshë seancat ku ne të mblidhemi dhe të diskutojmë për bisedimet e presidentit Thaçi me Vuçiqin, po e shihni me çfarë budallallëqe po merret Parlamenti. Vlerë në këtë Parlament ka vetëm kur diskutohen ligjet, vetëm kur aprovohen ligjet, vetëm kur deputetët ngritën dhe diskutojnë çfarë keqpërdorimi flagrant bëhet i parasë publike, duke filluar nga vet Parlamentim,  vet deputetët”, tha ai.

Por Zeka thotë se  Ministria e Jashtme është e mbudhur me skandale.

Zeka: Ministria e Punëve të Jashtme është e stërmbushur me skandale

“Ministria e Punëve të Jashtme është e stërmbushur me skandale, ambasadat tona, pjesa dërrmuese janë ambasada koti, duke përjashtuar ambasadoren tonë, Vlora Çitaku dhe disa ambasadorë të tjerë, ambasadat e tjera janë koti”, tha Zeka.

Sipas tij të gjithë ministrat e Punëve të Jashtme, të gjithë, kanë punësuar familjarë të tyre nëpër ambasada.

Seanca e thirrur për sot pritet të mbahet pas  21 nëntorit kur në Dubai pritet të votohet për anëtarësimin e Kosovës  në Organizatën Botërore të Policisë(INTERPOL).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat