Berisha-Shala: Nuk justifikohet mungesa e ministrit Lluka dhe deputetëve

Aktuale

Berisha-Shala: Nuk justifikohet mungesa e ministrit Lluka dhe deputetëve

Më: 14 nëntor 2018 Në ora: 16:00
Pamje nga raportimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka

Raportimi i ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka dhe Bordit të "Trepça" lidhur me funksionalizimin e kësaj ndërmarrjeje në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal, ka dështuar për mungesë të kuorumit.

Deputetët pjesëmarrës ishin kryetarja e Komisionit Sala Berisha-Shala, Liburn Aliu, Hykmete Bajrami dhe Memli Krasniqi. Ndërsa, ka munguar edhe ministri Lluka, derisa kryetari i bordit të Trepçës Ardian Syla ishte prezent.

Ndërsa, deputetët të cilët munguan ishin: Dardan Sejdiu nga PSD, Glauk Konjufca nga LVV, Muharrem Nitaj nga AAK, Veton Berisha dhe Mimoza Kusari Lila.

Sala Berisha-Shala ka thënë se mungesa e ministrit Lluka është pa përgjegjësi totale, pasi ka tema me rëndësi për Trepçën.

Berisha-Shala: Mungesën e ministrit dhe deputetëve nuk e justifikon asnjë angazhim tjetër

“Në mungesë të kuorumit unë nuk mund ta hap zyrtarisht mbledhjen, veçse mendojë që është një pa përgjegjësi e të gjithëve , duke pasur në konsideratë edhe kolegët deputet dhe të ministrit.  Sidoqoftë, mendimi im personal është që nuk e justifikon asnjë angazhim tjetër, sepse kam informacion që ministri(Lluka) ka shkuar me vizituar komunat, Gjilan, Kamenicë, për disa projekte të tjera. Na ka thënë për me shtyrë mbledhjen për pasdite, për këtë ne e kemi shtyrë. Jemi në pritje ende nuk ka ardhur, por edhe kolegë deputet të cilët janë të angazhuar në shumë Komisione të tjera, janë në aktivitete të tjera, që unë mendoj që nuk janë më të rëndësishme se sa me ardhur me u informuar këtu rreth gjendjes së Trepçës”, tha Berisha-Shala.

Ajo ka shtuar se Ligji për Trepçën ka hyrë në fuqi në tetor të vitit 2016, dhe ende nuk shihet një përparim të këtij gjigandi ekonomik dhe të rëndësishëm për zhvillimin socio ekonomik.

Ndërsa, pas dështimit të mbledhjes, ka reaguar nëpërmjet rrjetit social ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, cili shkruan se sa për korrektësi dhe informim të drejtë, mbledhja e komisionit për Trepçën ishte përcaktuar për dje (të martën) në ora 11, gjë që e kishte konfirmuar dhe ishte i gatshëm të raportojë për Trepçën, siç ka qenë i gatshëm për çdo temë që mbulon.

“Komisioni me ka lajmëruar që mbledhja anulohet dhe ka kërkuar që takimi të bëhet për sot. Unë, menjëherë i kam lajmëruar që nuk më përshtatet për sot për arsye të planifikimit të mëhershëm të agjendës që ishte vizita në Gjilan dhe Dardanë, ku takova kryetarët e këtyre dy komunave dhe vizitova Ndërmarrjen Publike Hidromorava. Është jo e saktë të proreklamohet se kam refuzuar raportimin pranë komisionit. Jam i gatshëm për secilin sektor që mbulojë të raportoj e të mbahem përgjegjës sot e çdo ditë. Megjithatë, qytetarët duhet të dinë të vërtetën dhe pamundësinë e komisionit për të organizuar mbledhje në përputhje me agjendën e të gjithëve”, thuhet në reagim.

Ai tutje ka shkruar se Trepça është në rrugë për t'u finalizuar, ndërsa Kuvendi është përgjegjës për të miratuar statutin sipas ligjit për Trepçën, duke i përfshirë edhe komentet dhe sugjerimet e grupeve punuese të cilat janë themeluar nga Qeveria e Kosovës pas konsultimeve edhe me Kuvendin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat