Thaçi dhe Haradinaj asnjë fjalë për përfshirjen e djalit të këshilltarit të tyre në armë dhe drogë

Aktuale

Thaçi dhe Haradinaj asnjë fjalë për përfshirjen e djalit të këshilltarit të tyre në armë dhe drogë

Më: 20 tetor 2018 Në ora: 14:40
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Shpend Maxhuni

Presidenti Hashim Thaçi dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk e kanë thënë asnjë fjalë për këshilltarin e tyre, Shpend Maxhunin, djali i të cilit u kap me armë pa leje, thikë dhe drogë nga Policia e Kosovës të premten e javës së kaluar.

Djali 20-vjeçar i njeriu kryesor i sigurisë së vendit, Shpend Maxhunit, këshilltar i Presidentit Hashim Thaçi dhe Kryeministrit Ramush Haradinaj, është kapur të premten e javës së kaluar me armë pa leje, thikë dhe drogë.

Shpetim Maxhuni, 20-vjeçar, në orët e mbrëmjes së datës 12 tetor të këtij viti, derisa po e voziste një veturë e cila është pronë e gjyshit të tij, Enverit, u zë nga policia e Kosovës.

Deri tani, as Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e as Kryeministri Ramush Haradinaj, nuk kanë thënë asnjë fjalë rreth kësaj ngjarje.

Sipas detyrës zyrtare që ka Maxhuni, si drejtor i AKI’së, ai shërben si këshilltar i Presidentit dhe Kryeministrit për çështje të inteligjencës që kanë të bëjnë me sigurinë e Kosovës. Këtë e thotë Ligji nr.03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Image

Shpend Maxhuni u përfol si një nga zyrtarët e lartë përgjegjës për deportimin e gjashtë gylenistëve që ndodhi në mars të këtij viti. Atëherë Maxhuni ishte Drejtor i Policisë së Kosovës dhe kërkohej, bashkë me ministrin e Brendshëm dhe shefin e AKI’së, që ishte Driton Gashi.

Këta dy të fundit u shkarkuan, por njeriu i Hashim Thaçit u shpërblye me një post të ri, u emërua Shef i Agjencisë Inteligjente të Kosovës.

Kur Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës, në vitin 2010, e kishte emëruar Reshat Maliqin Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, për një periudhë tri vjeçare. Zëvendës i tij ishte atëkohë Shpend Maxhuni.

Por, Maliqit nuk i zgjati shumë kjo detyrë, dhe në vitin 2011, kryeministri i atëhershëm Thaçi e shkarkoi pa ndonjë arsyetim. Maliqi më pas, deponoi edhe padi në Gjykatë kundër Hashim Thaçit dhe Qeverisë së Kosovës për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, ku edhe doli fitimtar nga ky rast.

Shefi aktual i AKI’së, Shpend Maxhuni, atëkohë doli në skenë pas shkarkimit të Maliqit, dhe u emërua nga ish-ministri Bajram Rexhepi, Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës.

Menjëherë pas deportimit të gjashtë shtetasve Turq, nga Kosova për në Turqi, pas shkarkimit të Driton Gashit që ishte në krye të AKI’së, vendin ia zuri Shpend Maxhuni.

Në mars të këtij viti,, Maxhuni u emërua Drejtor i AKI’së, drejtor i institucionit më të lartë të sigurisë në vend.

Që nga pas lufta Shpend Maxhuni është në hierarkinë e institucioneve të sigurisë. E djalit të tij 20-vjeçar iu gjet një revole e llojit “Zastava”, një thikë dhe një karikator me fishekë, të premten e kaluar.

Pritet që të martën, Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI’së, do të diskutojë për këtë çështje. Këtë e ka konfirmuar kryetarja e këtij komisioni Ganimete Musliu.

Mirëpo, anëtari i këtij komisioni, deputeti Zafir Berisha, ka thënë se pas këtij rasti, Maxhuni duhet të shkarkohet. Edhe Prokuroria Themelore e Prishtinës, e ka konfirmuar këtë rast dhe janë deklaruar se kanë nisur hetimet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat