Reçica: Fondi për sigurime sociale zgjidh çështjen e shtesave për fëmijë

Aktuale

Reçica: Fondi për sigurime sociale zgjidh çështjen e shtesave për fëmijë

Më: 15 tetor 2018 Në ora: 09:44
Skender Reçica

(E plotësuar) - Në depatin parlamentar për shtesat e fëmijëve ka folur edhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.

Sipas tij, nataliteti është bërë tash më brengë, por kjo nuk ka ndodhur siç tha ai për shkak të buxhetit por në mungesë të iniciativës.

 Reçica: 16 mijë nxënës më pak kanë qenë gjatë këtij viti

“Unë sot ju referohem një shifre zyrtare të Ministrisë së Arsimit ku me një shtator në bankat, ka pasur 16 mijë fëmijë më pak, dhe kjo është shqetësuese për të gjithë ne, për secilin qytetar dhe për secilin pushtetar, jo vetëm ne që jemi këtu por edhe ata që kanë qenë para nesh” tha Reçica.

Sipas Reçicës janë duke punuar për një koncept dokument për reformën pensionale që shtesat e fëmijëve të realizohen pa ndonjë ngarkesë shtesë të buxhetit të Kosovës.

Reçica: Me fondin për sigurimet sociale zgjidhen shtesat për fëmijë

“Fondi për sigurimet sociale do të jetë ai që fëmijëve tanë t’iu sigurojë, sigurimin që ne sot po përpiqemi në shumën që u diskutu sot që të jetë 10 apo 20 apo ndryshe.....Konsideroj që me fondin për sigurimet sociale do të zgjidhen edhe shtesat për fëmijë, njëkohësisht duke ndikuar edhe në mirëqenies së fëmijëve dhe duke mos ngarkuar buxhetin e shtetit edhe ashtu të ngarkuar” tha Reçica.

Në fund, deputetja Donika Kadaj-Bujupi ka shpresuar që deri në seancën e ardhshme do të mund të harmonizojnë një rezolutë të përbashkët.

Madje ajo ka shtuar se është për keqardhje bojkoti i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të Vetëvendosjes.

Në mungesë të kuorumit është pamundësuar edhe votimi i këtyre propozimeve, andaj ajo është shtyrë për të enjten.

Drejtpërdrejt nga vazhdimi i seancës

Vazhdon drejtpërdrejt seanca e Kuvendit të Kosovës.

Haradinaj: Duhet t’u bëhet një zgjidhje edhe fëmijëve që rrinë rrugëve

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj tha se të gjitha fushatat zgjedhore janë karakterizuar me çështjen e shtesave të fëmijëve, pasi në vendet e përparuara kjo nuk është as temë.

Në lidhje me kërkesat e deputetëve që këta fëmijë të marrin më shumë se 10 euro, ai tha se “duhet të shtrihen këmbët sa është jorgani”.

Duke shtuar se problem i madh janë edhe lëmoshkërkuesit –fëmijë që rrinë në çfarë do kohe në rrugë.

Haradinaj: Duhet t’u bëhet zgjidhje edhe fëmijëve që rrinë në rrugë

“Mirë do të ishte që kjo të ishte vlerë më e madhe mirëpo tu e njoft realitetin në Kosovë, gjendjen buxhetore, normalisht duhet me startu me 10 euro e pastaj me kalimin e kohës shpresojmë që do të avancojmë edhe vlerat buxhetore në të njëjtën kohë çfarë do të ishte edhe më me rëndësi është me gjet një formë, p.sh vetëm deri këtu te semafori  i kemi pa mbi 30 fëmijë që rrinë gjithë ditën e gjatë në minus temperatura, në çfarë do kushtet i shohim aty, do të thotë duhet të gjejmë një formë të me trajtu këtë problem, ky është jo vetëm problem në kryeqytetin e Kosovës, por edhe në qytetet tjera”, tha Haradinaj.

Sipas tij, shumë shpejtë duhet të bëhet një zgjidhje ligjore, sepse kjo është edhe parakusht për t’u bërë anëtar në UNICEF. Një gjë e tillë siç tha ai shumë shpejt duhet të  implementohet.

Ademi: Jemi duke i shkatërruar rastet e rënda sociale

Gjatë debatit parlamentar për shtesat e fëmijëve, deputeti Danush Ademi, ka kritikuar ashpër Ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Sipas tij, duhet të zbuten kriteret për asistencë sociale, ku siç tha ai një fëmijë pa marrë parasysh gjendjes financiare, sapo të bëjë pesë vjet, ua ndërprenë asistencën sociale.

Ademi: Jemi duke i shkatërruar rastet e rënda sociale

“Një vlerë që e marrin  70 euro  apo 50 euro në muaj, kategoritë e rënda  sociale janë të barabarta me një pagë mesatare që e kemi ne si deputet po thuajse 2000 euro. Ata me padurim e presin atë pagë, sepse me 100 euro presin ta kalojnë një muaj, kurse ne si deputet nuk jemi në gjendje t’i zbusim kriteret që ato familje së paku, deri 15 apo 16 vjet që t’i gëzojnë kategoria e asistencës sociale, rastet e randa sociale. Unë asnjëherë nuk muj me kuptu meqenëse është edhe këtu ministri dallimin mes fëmijët 5 vjet dhe atij 5 vjet e një ditë… kjo do të thotë që kategoritë e randa jemi tu i shkatërru”, tha Ademi.

Sipas Ademit kjo kategori, po nënçmohet nga institucionet e vendit.

Ajo shtoi se fëmijët e kësaj kategorie duhet të marrin asistencë sociale deri në 16 vjet.

Baftiu nuk pajtohet me moshën deri në 16 vjeç për shtesat e fëmijëve

Deputetja nga Partia Social Demokrate, Besa Baftiu ka thënë se si parti e përkrahin iniciativën e deputetes Kadaj-Bujupi për shtesat e fëmijëve, por kërkojë që të jetë për fëmijët deri në moshën 18 vjeçare.

Sipas saj, kjo iniciativë do të duhej të vinte nga Qeveria, duke pasur parasysh se  gjatë fushatës zgjedhore, siç tha ajo, të tri subjektet kanë premtuar shtesat për fëmijë.

Baftiu: 33 për qind e fëmijëve jetojnë në varfëri

“Mirëpo siç e dimë jemi 20 vjet pas luftës dhe gjendja është kjo që është, prandaj kjo iniciativë është më se e domosdoshme  dhe e vonuar, duke pasur parasysh se 33 përqind e fëmijëve jetojnë në varfëri, po ashtu edhe 10 përqind të fëmijëve janë të përfshirë në punë, shtatë përqind e fëmijëve punojnë edhe punë të rënda, që do të thotë se kjo ndihmon edhe në kushtet sociale”, tha Baftiu.

Në lidhje me rezolutën dhe pikën 1 ku përfshihet mosha e fëmijëve që  do të mund të gëzojnë këtë shtesë, ajo nuk është pajtuar duke shtuar se në bazë të konvenentës së të  drejtave të njeriut, fëmijë është një njeri deri në moshën 18 vjeçare, e jo ashtu siç po parashihet që këto shtesa të jenë deri në moshën 16 vjeçare.

Ajo ka kërkuar nga Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale një shifër të kostos buxhetore, se sa do t’i kushtojnë vendit shtesat për fëmijë.

Brovina: Shtesat e fëmijëve qëllim human por edhe i domosdoshëm

Për shtesat e fëmijëve ka diskutuar edhe deputetja Flora Brovina, nga Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka thënë se i bashkëngjitet dhe është në përkrahje të mocionit të deputetes, Donika Kadaj-Bujupi.

Flora Brovina ka thënë se kjo çështje është diskutuar mjaft shumë, dhe se sipas saj asnjëherë nuk është gjetur një mundësi institucionale për t’i mbrojtur ata.

“Duke u nisur se tani propozimi vije nga partia AAK, partia e cila nxjerr kryeministrin unë besoj se janë zhvilluar diskutime edhe lidhur me buxhetin  dhe përkrahjen e buxhetit që të mundemi me e realizuar këtë qëllim sa human ashtu edhe të domosdoshëm, si dhe të mund të sigurojmë shtesat për fëmijë minimale siç i sheh propozuesja prej 10 euro në muaj. Është brengosëse rënia e popullatës në Kosovë, është brengosëse edhe pse nëse si parametër shquhet mortaliteti që ka qenë shumë i lartë ai tani më fillon të zvogëlohet dukshëm, por megjithatë Kosova mbetet një ndër vendet me mortalitet të foshnjave më të lartat në Evropë. Kjo me një rënie të vazhdueshme të mortalitetit, por nataliteti gjithashtu po bie. Kosova mund të lavdërohet me ligje të avancuara që mbrojnë të drejtat e njeriut, pra në këtë pikëpamje edhe të drejtat e fëmijëve”, tha ajo.

Kuvendi në pauzë, Veseli e Nitaj thumbojnë LDK-në e VV-në 

Kuvendi i Kosovës ka vendosur që të shkojë në pauzë për të vazhduar në ora 15:00, ku pritet të ketë debat parlamentar për shtesat e fëmijëve.

Seanca e Kuvendit pritet të vazhdojë në ora 15 pas një pauze, ku pritet që të diskutohet për shtesat e fëmijëve.

Njoftimi erdhi nga nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti.

Ai tha se do të presin nëse deputetët që po mungojnë do të kthehen në sallë deri në orën 15:00.

Ndonëse seanca filloi me mungesën e dy partive opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (VV), ajo më pas ka vazhduar me rrjedhën e saj.

Në këtë vazhdim seance janë miratuar disa projektligje dhe anëtarët e ri të bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK).

Ndërkohë, përderisa dy partitë opozitare e kanë bojkotuar këtë seancë, PSD-ja ka qëndruar në sallë, gjë që ua siguroi partive në pushtet kuorumin për të vazhduar me pikan në rend dite.

Në mungesë kuorumi nuk votohet Projektligji për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të miratojë projektligjin për kompleksin memorial në Prekaz, pasi që nuk ka pasur kuorum pasi që Lista Serbe nuk ka marrë pjesë në votim e as Vetëvendosje dhe LDK nuk kanë qenë fare në seancë.

Kryetari i komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural Muharrem Nitaj, ka kërkuar që të hiqet nga rendi ditës, por prapë është hedhur në votim. 

Nitaj: Është i një rëndësie të madhe kalimi i këtij Projektligji 

“Vërtetë projektligji për Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ është i një rëndësie të jashtëzakonshme, është shtyrë dhe nuk është votuar për gjithë atë kohë. Po shohim që edhe sot gjasat janë shumë të vogla që të kalojë ky projektligj. Ne e kemi vizituar Kompleksin Memorial ‘Adem Jashari’ si komision dhe e kemi parë që vërtetë një gjendje katastrofike në mbajtjen e kullave të Jasharajve. Është i një rëndësie të madhe kalimi i këtij projektligji, por meqenëse numrat janë siç janë unë propozoj që votimi i këtij projektligji të shtyhet për mbledhjen e ardhshme dhe të mos dërgojmë një mesazh shumë të keq që po nxjerrët në votim dhe nuk po kalon”, tha Nitaj.

Për këtë projektligj ka reaguar edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Enver Hoti, i cili ka thënë se ky projektligj është dashur të kalojë qysh herën e parë.

Madje ai ka fajësuar LDK-në dhe VV-në që nuk kanë qenë në sallë për ta votuar këtë projektligj. 

Hoti: Është një papërgjegjësi totale e të gjithë deputetëve, grupeve politike 

“Kam një kërkesë ndoshta për grupimet politike opozitare VV dhe LDK që nuk janë këtu, mendoj që është dashur të jenë këtu pranë sallës dhe kur të vije radha e këtij projektligji të futen brenda dhe të votojnë. E dimë si është gjendja në memorialin Adem Jashari në Prekaz  dhe mendoj që është një papërgjegjësi totale e të gjithë deputetëve, grupeve politike, nëse nuk votohet edhe sot ky projektligj”, tha Hoti.

Seanca është duke vazhduar me pikat tjera të rendit të ditës.

Kuvendi miraton disa projektligje dhe raporte vjetore

Kuvendi i Kosovës ka miratuar disa projektligje dhe raporte të institucioneve publike, por jo edhe projektligji për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme.

Për këtë projektligj 49 deputet kanë votuar kundër, 11 për dhe tre kanë abstenuar.

Ndërkohë është miratuar raporti vjetor i Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2017, raporti vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2017, raporti vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2017, projektligjit në parim për mbrojtjen e fëmijës, projektligji për veprimtaritë hidrometeorologjike, raporti vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra për vitin 2017, raporti vjetor i performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017 dhe raportit vjetor i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017.

Kurse, për projektligjin në lexim të dytë për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit për Hekurudhat e Kosovës, projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, projektligjin për shërbimet postare, dhe raportin e RTK-së, nuk kishte kuorum

Ndërkohë, Kuvendi ka nis zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit të RTK-së.

Hiqet nga rendi i ditës rezoluta për dialogun me Serbinë

Kuvendi i Kosovës ka hequr nga rendi i ditës votimin e propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë.

Kjo është bërë pas kërkesës së deputetit të PSD-së, Visar Ymeri, i cili ka kërkuar që të shtyhet votimi i propozim rezolutës nga debati parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi.

"Ne jemi të interesuar që të ulemi bashkë dhe të tentojmë të paktën të përaforojmë qëndrimet sa i përket rezolutës. U bëj ftesë grupeve parlamentare që të diskutojmë për këtë rezolutë", tha ai.

Veseli: Opozita i frikësohet zgjedhjeve

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli ka akuzuar disa deputet që nuk po marrin pjesë në seancën e sotme, duke thënë se nuk do të tolerojë që disa persona të përcaktojnë fatin e Kuvendit, derisa i ka thënë deputetit të Nismës Socialdemokrate, Zafir Berishës që le t’ia bëjë opozitës katër votat për të shkuar në zgjedhje.

Veseli, pasi bëri thirrje që deputetët të vinë në seancë, tha se në sallë janë 60 deputet dhe dy apo tre janë jashtë, të cilët janë të vetëdijshëm që nuk po arrihet kuorumi.

Veseli: Nuk do të tolerojë që individë të caktuar të përcaktojnë fatin e Kuvendit

“Nuk do të tolerojë që individë të caktuar të përcaktojnë fatin e Kuvendit, pavarësisht çfarë ego kanë sepse ka veç individë të caktuar që po tentojnë të demonstrojnë para nesh personalitet. Zafir veç voto, katër vota i duhen opozitës, po të tregoj publikisht ti edhe dy apo tre i ke atje, por po frikësohem se më së shumti frikësohen ata me shkuar në zgjedhje, bashkë me opozitën, kjo është ajo që nuk ndodhë se me pas burrni po”, tha ai.

Seanca vazhdoi me një orë e gjysmë vonesë.

Nis seanca

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ka nisur pa grupin parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe atë të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët ka kohë që po bojkotojnë seancat e Kuvendit me arsyetimin se Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe vendi të shkoj në zgjedhje.

Seanca nisi me vonesë për shkak se në sallë nuk ishin 62 deputet. Ndërkohë, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli thirri tri herë deputetët.

Në seancë janë paraparë të shqyrtohen 25 pika të rendit të ditës, të mbetura nga seancat e kaluara.

Rendi i ditës për seancën e sotme të Kuvendit:                          

1.      Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës për vitin 2017,

2.      Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/ L-010 për Noterinë,

3.      Votimi i Propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë,

4.      Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-067 për plotësimin edhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-063 për Hekurudhat e Kosovës,

5.      Votimi në parim i Projektligjit nr. 06/L-084 për mbrojtjen e fëmijës,

6.      Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 06/L-065 për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme,

7.      Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr. 06/L-059 për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz,

8.      Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-035 për veprimtaritë hidrometeorologjike,

9.      Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 06/L-038 për shërbimet postare,

10.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë,

11.  Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për miniera dhe minerale,

12.  Votimi i Raportit vjetor i Autoritetit rregullator për ujëra për vitin 2017,

13.  Votimi i Raportit vjetor të performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2017,

14.  Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2017,

15.  Votimi i Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2017   

16.  Votimi i Raportit vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2017,

17.  Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2017,

18.  Votimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2017,

19.  Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2017,

20.  Votimi i Propozim-vendimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit për Ndihmë Shtetërore,

21.  Votimi i Propozimit të grupeve parlamentare të AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare,

22.  Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Bordit te RTK-së,

23.  Votimi për formimin e Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për (1) një anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,

24.  Votimi i Propozimit për zëvendësimin e dy (2) anëtarëve të Komisionit Hetimor Parlamentar në lidhje me shpenzimet për lobim nga ana e Presidencës dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës,

25.  Debat parlamentar, sipas kërkesës së deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga 7 deputetët nënshkrues nga GP i AAK-së, në lidhje me shtesat e fëmijëve. 

Image
Pamje nga seanca e sotme e Kuvendit

Milaim Zeka: Nuk ua bëj më kuorumin pozitës

Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës e paralajmëruar të nis në ora 10:00 nuk po mbahet.

E gjithë kjo për arsye të mungesës së kurimit. Por një deputetë më pak do ta ketë edhe pas pauzës pozita pasi deputeti nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka ka lëshuar sallën duke thënë se nuk do të kthehet më.

“Nuk ua bëj më kurrë kuorumin pozitës. Vetëm Ligji për Ushtri kur të vije do të votoj, përndryshe  më kurrë”, ka thënë shkurt Zeka

Ndryshe i pari i Kuvendit, Kadri Veseli ka kërkuar nga deputetët që të kthehen në sallë, në mënyrë që të zhvillohet seanca me 25 pika të rendit të ditës të mbetura nga seanca e kaluar.

Pozita problem me numrat

Seanca e Kuvendit të Kosovës nuk po arrin të fillojë tash e një orë. Aktualisht deputetët kanë shkuar në pauzë prej 15 minutave.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli thirri tri herë deputetët, duke thënë se në sallë janë 60 deputet, dhe disa tjerë në hollin e Kuvendit.

“Para se të shkohet në pauzë, do të bëjë thirrjen e fundit që deputetët të kthehen në sallë. Në rrethana që jemi, janë 60 deputet në sallë, dy a tre janë jashtë, të cilët janë të vetëdijshëm që nuk po arrihet kuorumi”, ka thënë ai.

Veseli dha 15 minuta pauzë, duke thënë se nëse pas 15 minutave nuk do të kenë forumë, seancën do ta vazhdojnë ndonjë ditë tjetër.

 Ai shtoi se nuk do të lejojë që fatin e Kuvendit të vendoset nga disa persona, ndërkohë , deputetit të Nismës Socialdemokrate, Zafir Berisha, i tha se nëse dëshiron le ta përkrah opozitën të cilës i duhen 4 vota.

LDK e Vetëvendose bojkotojnë seancën e sotme

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kanë marrë vendim që të mos marrin pjesë në seancën e sotme

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka thënë se ky subjekt do te vazhdojë të mos marrë pjesë në seanca, përjashtuar atë të së enjtes, ku do të diskutohet për ushtrinë.

“Qëndrimi i LDK-së është që nuk marrim pjesë në këtë seancë. Gjendja aktuale është e njëjtë. Institucionet e Kosovës po tregojnë jolegjitimitet të plotë. Seanca e rregullt e thirrur për të enjten përmban ligje të rëndësishme, ligjet për ushtrinë. LDK do të marrë pjesë në këtë seancë”, theksoi ai.

Edhe deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu, bëri të ditur se kjo parti do ta bojkotojë seancën e sotme.

“Dua ta konfirmoj qëndrimin e LVV-së që nuk do të marrim pjesë sot në seancë”, theksoi ajo.

Vazhdon seanca plenare e Kuvendit (Drejtpërdrejt)

Pas një kohe të jo produktivitetit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, sot me fillim nga ora 10:00 kuvendi do të vazhdojë seancën plenare.

Në rend dite janë gjithsej 25 pika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat