Hoxhaj: Partitë tjera janë ishuj, PDK është kontinent

Aktuale

Hoxhaj: Partitë tjera janë ishuj, PDK është kontinent

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 19:47
Enver Hoxhaj

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përsëri e quajti Prizrenin Jerusalem të PDK-së, ndërsa garantoi zgjedhje demokratike, ekonomi të lirë të tregut modern gjatë qeverisjes së tyre.

Ai në hapjen e procesit të brendshëm zgjedhor të PDK-së në Prizren, kritikoi  qeverisjen aktuale të kësaj komune për keqqeverisje, ndërsa premtoi se pas ministrit Kujtim Gashi, kjo parti do të ketë edhe ministra tjerë nga Prizreni.

I pari i PDK-së po ashtu, u zotua se do ta mbështesin komunën e Prizrenit edhe nëse nuk është në qeverisjen e tyre.

Veseli: Qeverisja aktuale është fituar pandershmërisht

"Ne dëshirojmë që të mos abuzohet me qeverisjen e Prizrenit, për arsye se kemi shqetësim. Kemi shqetësim se pikërisht është tani kjo qeverisje e fituar pandershmërisht, pa respektin, pa përkrahjen e qytetarëve të Prizrenit, e cila po shndërrohet në pazar mes atyre faktorëve që natën e kanë sjellë këtu kryetarin e Prizrenit. Kjo është e papranueshme", ka thënë Veseli.

Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se zgjedhjet e brendshme partiake synojnë fuqizimin e kësaj partie. Ndërkaq, për partitë tjera tha se janë ‘ishuj’, në krahasim me partinë e tyre, të cilën e quajti ‘kontinent’. Partive të tjera, Hoxhaj me ironi u tha: "Merrni frymë, relaks, mos e merrni veten me të keq, pini ujë".

Hoxhaj: Këto zgjedhje do ta fuqizojnë partinë

"Unë jam shumë i sigurt që këto zgjedhje të PDK-së do të sjellin edhe ide të reja edhe njerëz të ri, edhe frymë të re dhe natyrisht që kur po e shoh në Prizren këtë entuziazëm, këtë gatishmëri, këtë shtresë të madhe, jam shumë i sigurt se do të jemi të pathyeshëm sikurse kemi qenë deri tash", ka thënë Hoxhaj.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi u shpreh i bindur se pas  zgjedhjeve të brendshme, PDK do të fuqizohet dhe se Kadri Veseli do të bëhet kryeministër. Pa këtë të fundit, ai tha se nuk mund të ketë integrime evropiane.

Gashi: Nuk ka integrime evropiane pa u bërë Veseli kryeministër

"Lidershipi aktual i PDK-së e ka filluar luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për një periudhë të shkurtë e ka çliruar Kosovën. Gjithashtu, ky lidership e ka themeluar dhe e ka shpallë shtetin e pavarur të Republikës së Kosovës, dhe jam shumë i bindur, dhe qytetarët e Kosovës janë të bindur se pa u bërë kryeministër zotëri Kadri Veseli, nuk ka Kosova integrime evropiane", ka thënë Gashi.

Ndërsa zëdhënësi i PDK-së në Prizren, Samir Hoxha, u zotua për një proces zgjedhor demokratik dhe transparent. Ai tha se qeverisja aktuale e Prizrenit i ka nëpërkëmbur kërkesat e qytetarëve dhe tha se PDK nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

Hoxha: Do ta marrim përsëri Prizrenin

"Nga aspekti politik, ne në degën e PDK-së në Prizren, si një parti e cila me shumë sukses kemi qeverisur tri herë radhazi në komunën tonë, zotohemi se nga këto zgjedhje të brendshme partiake do të dalim edhe më të fuqishëm edhe më të përgatitur për betejat politike të radhës. Kjo, sepse në organizimin tonë politik, jemi të bindur se nën udhëheqjen tuaj ne do ta rimarrim sërish komunën e Prizrenit", ka thënë Hoxha.

Përndryshe, para katër ditësh PDK ka hapur Konventën zgjedhore të kësaj partie në Prishtinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat