Kosova ende s'është anëtare e plotë e Organizatës së Frankofonisë

Aktuale

Kosova ende s'është anëtare e plotë e Organizatës së Frankofonisë

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 12:40
Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë

Punimet e samitit të 17-të të Frankofonisë që u zhvilluan në Jerevan të Armenisë, këtë herë avancuan Kosovën një shkallë më lartë. Prej statusit si anëtare vëzhguese që shteti ynë e kishte nga viti 2014, para tri ditësh u bë anëtare e asociuar. Por, lajmi i interpretuar si “Kosova pjesë e Frankofonisë”, nuk nënkupton që shteti ynë ka hyrë si anëtar me të drejta të plota në këtë organizatë të rëndësishme botërore.

Statusi prej anëtarit të vëzhguar në këtë të asociuar u arrit pas katër vitesh dhe nuk dihet nëse Kosovës do t’i duhet kohëzgjatje e njejtë (4-vjeçare), për t’u bërë anëtare e plotë.

Megjithatë, presidenti, Hashim Thaçi, postoi njoftimin për avancimin e një shkallë më lartë dhe falënderoi shtetet anëtare që votuan pro Kosovës.

“Lajmi i mirë i radhës për Kosovën vjen nga Armenia. Nga vëzhguese, Kosova u bë anëtare e asociuar e Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë. U jemi mirënjohës shteteve anëtare për afirmimin e Kosovës në familjen frankofone dhe për mbështetjen e vazhdueshme të tyre”, ka shkruar Thaçi.

Organizata Ndërkombëtare e Frankofonisë është themeluar në vitin 1970 dhe përbëhet prej 84 shteteve. Disa prej qëllimeve të kësaj organizate janë si më poshtë:

Promovimi i gjuhës frënge dhe llojllojshmëria kulturore dhe gjuhësore;

Promovimi i paqes, demokracisë dhe të drejtave të njeriut;

Mbështetja e arsimit, trajnimit, arsimit të lartë dhe hulumtimit;

Promovimi i bashkëpunimit në shërbim të zhvillimit të qëndrueshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat