Zëvendësdrejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka quajtur provokim të Prishtinës çështjen e transformimit të FSK-së në Ushtri.
Duke folur për mediat në Beograd, Petkoviq ka thënë se sipas tij, autoritetet e Kosovës po duan të shmangin ndryshimet kushtetuese me rastin e formimit të Ushtrisë.
Madje sipas Petkoviq, Kosovës nuk i duhet Ushtria kur aty është KFOR-i.
“Shqiptarët e Kosovës po duan që ta formojnë ushtrinë që sipas tyre do të jetë multietnike. Lista Serbe e ka bërë të qartë qëndrimin kundër kësaj force. Pse duhet të ketë Ushtri të Kosovës kur atje tashmë është KFOR-I”, ka thënë Petkoviq.
Kujtojmë se në agjendën e Kuvendit për javën e ardhshme, ndër pikat e rendit të ditës është projektligji për ushtrinë.
Ndërkohë, zyrtarë të lartë të shtetit të Kosovës kanë deklaruar se procesi i transformimit të FSK-së po bëhet në koordinim dhe mbështetje të plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.