Kurti: Trekëndëshi Thaçi, Haradinaj, Veseli të paaftë për procese të mëdha

Aktuale

Kurti: Trekëndëshi Thaçi, Haradinaj, Veseli të paaftë për procese të mëdha

Nga: N. Sh. Më: 10 tetor 2018 Në ora: 10:20
Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli

Trekëndëshi i liderëve aktual të pozitës në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, kreu i PDK-së dhe Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministri Ramush Haradinaj, njëherësh edhe kryetar i AAK-së janë politikanët e paaftë për të çuar proceset përpara.

Kështu thotë prof. Faton Kurti, kryetar i Republikanëve të Kosovës, i cili shton se nuk beson aspak në sinqeritetin e trekëndëshit politik: Thaçi, Haradinaj, Veseli.

Image
Faton Kurti

“Këta të tre jo vetëm që janë politikanë të paaftë për të çuar proceset e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror përpara – por askush nuk ua kalon në aftësinë për të trilluar situatën politike për përfitime vetjake dhe për të mbijetuar në skenën politike në Kosovë. Vetëm para disa javësh ishte vetë Kryeministri Haradinaj, ai i cili ia dorëzoi të gjitha kompetencat ekzekutive Thaçit (duke shkuar kundër Kushtetutës) për të dialoguar me Vuçiqin, sepse ai vetë nuk ka kohë të merret me këtë "temë"”, thotë Kurti për gazetën “Bota sot”.

Dhe, sipas tij, rezultati i kësaj neglizhence nga ana e Kryeministrit, kush do ta mendonte se 20 vite pas luftës do të flitet për shkëmbim të territoreve me Serbinë!

“Pse Kryeministri sot bën një kthim prej 180 gradë ndaj Presidentit Thaçi, ka të bëjë vetëm me frikën e humbjes së pushtetit dhe një seri arsyesh të tjera si më poshtë: • mos mbështetja e idesë për shkëmbimin e territoreve nga faktori ndërkombëtar, • suksesi i Protestës madhështore të 29 Shtatorit, • presioni konstant mediatik dhe vetëdijesimi i popullatës shqiptare”, thekson ai.

Kurti shton se, vetë fakti se ky koalicion qeveritar gjatë fushatës së fundit elektorale e kishte moton: "një koalicion i fortë, për të çuar proceset e mëdha përpara" – tashmë është kuptuar nga të gjithë se ky slogan ishte vetëm një frazë boshe sepse sot Kosova ka një Qeveri më të dobët se kurrë.

“Dhe nuk duhet harruar se kjo Qeveri e dobët u mundësua të formohet vetëm në sajë të votave të "Lista Serbska", e cila siç e dimë të gjithë orkestrohet nga vetë Vuçiqi në Beograd. Tani ka ardhur koha, që edhe politikanët e korruptuar të mësojnë se ç'është dinjiteti dhe ta shohin realitetin e më në fund të heqin dorë nga privilegjet personale e t’i hapin rrugën të ardhmes së vendit duke u dorëhequr”, pohon ai.

Kreu i Republikanëve thekson se, nëse kryeministri Haradinaj më të vërtetë e ka për zemër (siç po deklaron) ruajtjen e territorit dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës, atëherë do ishte i lumtur të mos kishte të drejtë se kjo është lojë për teatrin politik që ky trekëndësh (Thaçi, Haradinaj, Veseli) po i ofron vakt e pa vakt popullit të Kosovës.

“E nëse nuk po luajnë teatër si zakonisht tani është momenti historik që Haradinaj menjëherë ta dorëzojë postin e Kryeministrit dhe vendi të shkojë në zgjedhje të reja të parakohshme. Kosovës kurrë më shumë se tani i duhet një Qeveri me politikanë kurajozë, profesionistë dhe me vetëdije të lartë kombëtare e që përmes konsensusit politik të marrin vendime të rëndësishme dhe të na përfaqësojnë denjësisht në këtë fazë kritike që po kalon Kosova”, potencon ai.

Përndryshe, sipas tij, të gjithë ata të cilët sot po luajnë me territorin dhe sovranitetin e Kosovës shumë shpejt do të shkojnë para drejtësisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat