A do të bëhen edhe serbët ushtarë të Kosovës a po do të largohen?

Aktuale

A do të bëhen edhe serbët ushtarë të Kosovës a po do të largohen?

Më: 5 tetor 2018 Në ora: 18:12
FSK-ja

Autoritetet e vendit po planifikojnë ta shndërrojnë Forcën e Sigurisë së Kosovës në Ushtri. Pritet që kjo të ndodhë pas kalimit të ligjeve në Kuvendin e Kosovës. Por, a do të largohen pjesëtarët serbë që aktualisht janë në FSK apo do të pranojnë të bëhen ushtarë të Kosovës?

Presioni politik i Beogradit kishte bërë që gjatë verës së vitit 2018, shumë pjesëtarë të komunitetit serb të kërkonin largimin e tyre nga Forca e Sigurisë së Kosovës.

Një gjë e tillë kishte ngjallur edhe shqetësime tek ministri i FSK-së, Rrustem Berisha, i cili atë kohë në një konferencë për media kishte treguar se rreth 40 pjesëtarë të komunitetit serb nga 137 sa janë gjithsejtë, kishin kërkuar largim nga FSK-ja.

Tani Republika e Kosovës gjendet në prag të formimit të Ushtrisë, pasi në Komisionin për Mbikëqyrjen e FSK-së janë miratuar me shumicë votash tri projektligjet e nevojshme për shndërrimin e FSK-së në ushtri.  I vetmi që kishte votuar kundër kishte qenë deputeti i Listës Serbe, Zoran Mojsilovi?.

Por a mund të ketë largime të tjera të pjesëtarëve të komunitetit serb nga FSK-ja në prag të gjithë këtyre zhvillimeve drejtë bërjes së Republikës së Kosovës me Ushtri?- Në një përgjigje zëdhënësi i ministrit Rrustem Berisha, Ibrahim Shala, ka thënë se nuk beson se diçka e tillë mund të ndodhë.

“Ne nuk kemi ndonjë informacion të tillë dhe nuk besojmë se do të ketë ndonjë valë të re largimesh të komunitetit serb nga FSK-ja”, thuhet në përgjigje.

Teksa ka folur për largimet paraprake të pjesëtarëve serb të FSK-së, Shala thotë se ata janë larguar nga presionet politike të Beogradit, dhe jo si pasojë e kushteve brenda FSK-së.

“Shërbimi në FSK është  profesional dhe vullnetar. Me  pjesëtarët e FSK-së  të gjitha komuniteteve, kemi takime të rregullta në kuadër të planeve të punës dhe aktiviteteve. Pjesëtarët e larguar nga MFSK-ja,  nuk janë larguar nga pakënaqësitë me kushtet dhe trajtimin në FSK, por janë larguar  nga presioni i jashtëm që ka ardhur nga Beogradi”, ka thënë ai.

I pyetur rreth ndonjë datë të saktë rreth thirrjes së seancës për votimin e tri projektligjeve për transformimin e FSK-së në Ushtri, Shala thotë se tashmë një gjë e tillë është në duart e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

“MFSK dhe FSK  raportojnë para komisionit parlamentar për mbikëqyrje të FSK-së. Komisioni parlamentar i ka shqyrtuar që të tri ligjet për FSK-në. Është çështje e komisionit parlamentar dhe procedurave parlamentare se kur do të procedohen në Parlament”, ka përfunduar ai.

Për shndërrimin e FSK-së në Ushtri të Republikës së Kosovës është angazhuar intensivisht kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai gjatë vizitës së tij të fundit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është takuar edhe me Sekretarin e Departamentit të Mbrojtjes së ShBA-ve, James Mattis. Pas kthimin në Kosovë, Haradinaj në një intervistë në Pressing të T7 kishte treguar se kishte marrë miratimin e SHBA-së për transformimin e FSK-së në ushtri.

Një gjë të tillë e ka mbështetur përmes edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Republikën e Kosovës.

Normalisht kundër bërjes së Republikës së Kosovës me ushtri është pala serbe. Sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka kundërshtuar transformimin e FSK-së në Ushtri të Kosovës, ndërkohë mbetet të shihet nëse do të ushtrojnë përsëri presion ndaj pjesëtarëve serb për largim nga FSK-ja.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat