Shoferi i Azem Sylës lirohet nga aktakuza

Aktuale

Shoferi i Azem Sylës lirohet nga aktakuza

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 18:00
Gjykimi i Azem Sylës

Gjykata e Prishtinës, e ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj 17 personave të akuzuar në rastin e njohur si “Toka 2”, rast ky i cili ka të bëjë me keqpërdorim pronash të komunave të Prishtinës dhe Graçanicës.

Kryetari i trupit gjykues, Beqir Kalludra, pas shqyrtimit të kundërshtimeve të mbrojtësve të të akuzuarve në lidhje me aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale, ka vendosur që të hedhë poshtë pretendimet e Prokurorisë ndaj të akuzuarve: Arton Vila, Bejtush Zhugolli, Dalip Brahimi, Jeton Govori, Xhabir Kajtazi, Isak Ademi, Albion Mulaku, Lirim Zeka, Agim Jerlia, Gëzim Rama, Basri Beka, Enver Bajrami, Gani Ferizi, Fehmi Ferizi, Bislim Bajrami, Bajram Gashani dhe Shaip Krasniqi.

Kurse në raport me të akuzuarit e tjerë Nexharije Hoti, Mehmet Prishtina, Dukagjin Emërllahu, Reshat Fetahu, Gani Ademi, Avni Maxhuni dhe Shqipe Maxhuni, gjyqtari Kalludra e ka aprovuar aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

Lajmin për kallxo e ka vërtetuar vetë gjyqtari i çështjes, Beqir Kalludra.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës grupin prej 24 personave i akuzon për krim të organizuar, nxjerrje dhe ndihmë e nxjerrjes së kundërligjshme të vendimeve gjyqësore, shpërdorim të detyrës zyrtare ose autorizimit në vazhdimësi, plaçkitje, falsifikim të dokumentit zyrtar, keqpërdorim të pozitës apo autoritetit në vazhdimësi dhe shpëlarje e parave në vazhdimësi.

Nga këta persona të akuzuar nga Prokuroria Speciale, Nexharije Hoti ishte gjyqtare në ish-Gjykatën Komunale të Prishtinës, Reshat Fetahu, shef në Departamentin Ligjor në AKP, Gani Ademi këshilltar ligjor i këtij departamenti, Avni Maxhuni avokat, Isak Ademi noter, Albion Mulaku nëpunës në Bankën BKT, Xhabir Kajtazi përfaqësues ligjor në L.L.C. “Union” Sh.P.K.

Aktakuzat ndaj këtij grupi lidhen me keqpërdorim pronash të komunave të Prishtinës dhe Graçanicës.

Bëhet fjalë për 36 hektarë tokë komunale të shitur me çmim shumë të ulët në krahasim me çmimin real të tregut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat