Presidenca njofton për takimin Thaçi - Kitaroviq, fsheh vërejtjen për ndryshimin e kufijve

Aktuale

Presidenca njofton për takimin Thaçi - Kitaroviq, fsheh vërejtjen për ndryshimin e kufijve

Më: 25 shtator 2018 Në ora: 12:29
Hashim Thaçi dhe Grabar-Kitaroviq

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar në New York me presidenten kroate gjatë sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, megjithatë në njoftimin e Presidencës për këtë takim, nuk përmendet fare deklarata e Kitaroviqit dhe porosia e saj që të mos ketë prekje të kufijve në rajon.

Sipas mediave kroate, Kitaroviq në këtë takim ia kishte kujtuar Thaçit “parimin e Komisionit të Badinterit që kufijtë në territorin e ish-Jugosllavisë duhet të mbesin të gdhendur në gurë”, kjo nuk gjeti vend në njoftimin për takim nga pala e Kosovës.

Sipas njoftimit të Presidencës, Thaçi dhe Grabar-Kitaroviq kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, si dhe si një ndër aktorët kryesorë rajonalë është partnere e Kosovës në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon dhe kemi një partneritet tradicional”, ka thënë Thaçi, sipas njoftimit.

Presidenti Thaçi dhe Aleksandër Vuçiq ndryshimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po e shohin si zgjidhje për konfliktin e ngrirë shumëvjeçar ndërmjet dy vendeve.

Kundër kësaj ideje të prekjes së kufijve, përveç Kroacisë, kanë dalë edhe Gjermania e Britania e Madhe, ndërkohë edhe i gjithë faktori politik në Kosovë nuk e mbështet Thaçin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat