Thaçi takoi presidenten kroate Grabar-Kitaroviq, flasin për perspektivën euroatlantike të Kosovës

Aktuale

Thaçi takoi presidenten kroate Grabar-Kitaroviq, flasin për perspektivën euroatlantike të Kosovës

Nga: N. Sh Më: 25 shtator 2018 Në ora: 11:22
Hashim Thaçi, Kolinda Grabar-Kitaroviq

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të sesionit vjetor të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York ka zhvilluar shumë takime me krerë të shteteve të ndryshme të botës.

Në ndërtesën e OKB-së, presidenti Thaçi ka zhvilluar një takim me presidenten e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, me të cilën ka bashkëbiseduar për thellimin e marrëdhënie bilaterale, rritjen e shkëmbimit tregtar si dhe mbështetjen për integrimet euroatlantike të Kosovës.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova është mirënjohëse ndaj Kroacisë për ndihmën e jashtëzakonshme në shtet-ndërtimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sigurimin e një të ardhme të sigurt në rrugën euroatlantike, veçmas në BE dhe NATO.

“Për ne, Kroacia, si anëtare e BE-së dhe NATO-s, si dhe si një ndër aktorët kryesorë rajonalë është partnere e Kosovës në shërbim të forcimit të stabilitetit dhe paqes në rajon. Ne ndajmë pikëpamje të përbashkëta mbi zhvillimet në rajon dhe kemi një partneritet tradicional”, ka theksuar presidenti.

Presidenti Thaçi dhe presidentja Grabar-Kitaroviq kanë biseduar edhe për perspektivën euroatlantike të Kosovës si dhe për fazën e fundit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi, do të vazhdojë takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme të botës, për të shtyrë përpara agjendën e bashkëpunimit bilateral, të shtimit të njohjeve dhe anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Grabar-Kitaroviq është deklaruar pas takimit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në New York, me të cilin bisedoi në lidhje me dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, ku Thaçit ia kujtoi “parimin e Komisionit të Badinterit që kufijtë në territorin e ish-Jugosllavisë duhet të mbesin të gdhendur në gurë”.

“Ishte interesante të flisja me presidentin e Kosovës, Thaçin, për marrëdhëniet mes Beogradit dhe Prishtinës dhe për temën që po dëgjohet së fundmi rreth mundësisë së shkëmbimit të territoreve. Këtu, ne jemi shumë të kujdesshëm dhe i kam treguar argumentet dhe qëndrimet tona si dhe faktin e parimit të Komisionit të Badinterit që kufijtë e ish-Jugosllavisë duhet të mbeten të gdhendur në gurë”, ka thënë presidentja Grabar-Kitaroviq.

Grabar-Kitaroviq është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, me të cilin “ka ndarë shqetësimin rreth situatës në Evropën Juglindore në lidhje me proceset e rëndësishme që do të pasojnë brenda një kohe të shkurtër”.

“Ishte një takim shumë produktiv. Vlerësoj faktin se ai në këto ditë do të ketë 128 takime dhe jemi pajtuar se do të vazhdojmë dialogun. Ndamë shqetësimet për gjendjen në Evropën Juglindore, proceset që do të hapen në të ardhmen, duke filluar nga zgjedhjet në Bosnje e Hercegovinë dhe faktin se nuk ka ndryshuar ligji i zgjedhjeve, nëpërmjet bisedimeve mes Beogradit e Prishtinës, deri në pritjen e rezultateve të referendumit të Maqedonisë për emrin e shtetit”, ka thënë Grabar-Kitaroviq.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat