U akuzua për vrasjen e tij, por këto janë fjalët që Hashim Thaçi i shkroi për Ahmet Krasniqin në librin e zisë

Aktuale

U akuzua për vrasjen e tij, por këto janë fjalët që Hashim Thaçi i shkroi për Ahmet Krasniqin në librin e zisë

Nga: P.R Më: 23 shtator 2018 Në ora: 21:15
Hashim Thaçi duke shkruar për kolonelin Ahmet Krasniqi në librin e zisë

Gjatë ditës së premte, në Prishtinë u rivarros Ministri i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, heroi i kombit, kolonel Ahmet Krasniqi, si dhe dëshmori Qazim Jakupi.

Ndër personat e shumtë që bënë homazhe dhe u përkulën para arkivolit të ish ministrit Krasniqi gjatë homazheve në hollin e Kuvendit të Kosovës, ishte edhe Presidenti Hashim Thaçi, i akuzuar së fundi nga Gani Geci se ka dhënë urdhër për vrasjen e Ahmet Krasniqit.

Pas homazheve, Thaçi disa fjalë për kolonelin i ka shkruar edhe në librin e zisë. Në një foto të siguruar nga gazeta “Bota sot”, shihen fjalët të cilat presidenti i shkroi për kolonelin.

“Me nderime dhe respekt për heroin Ahmet Krasniqi dhe heroin Qazim Jakupi”, janë fjalët që presidenti Thaçi i shkroi për kolonelin Ahmet Krasniqin.

Ndërsa, kujtojmë se gjatë ditës së premte, ish deputeti i LDK-së, Gani Geci, e ka akuzuar Thaçin për vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit.

“Hashim Thaçi ka qenë urdhër-dhënësi i vrasjes së Ahmet Krasniqit, nuk është me rëndësi kush e ka bërë veprën, urdhrin e ka dhënë Shtabi i Përgjithshëm, në krye me Hashim Thaçin dhe kompaninë e tij. Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me vra Gani Gecin, dhe u vra Bekim Kastrati dhe Besim Dajaku. Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me vra Haki Imerin, dhe u vra Haki Imeri, Hashim Thaçi ka dhënë urdhër me e vra Smajl Hajdaraj dhe u vra Smajl Hajdaraj, e tash Hashim Thaçi na organizon ceremoni varrimi. Duke u munduar t’i ikë Gjykatës Speciale, po mundohet që secilin nga viktimat ta bëjë hero, ne kemi qenë hero, nuk ka pas nevojë të na bëjë fare, sepse ne kemi luftuar për Kosovën”, tha Geci gjatë ditë së premte.

Image
Shkrimi i Hashim Thaçit për Ahmet Krasniqin në librin e zisë
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat