Thaçi thotë se i ka ministrat e Haradinajt pas vetes për ndryshim kufijsh, Qeveria s’ka koment

Aktuale

Thaçi thotë se i ka ministrat e Haradinajt pas vetes për ndryshim kufijsh, Qeveria s’ka koment

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 12:23
Hashim Thaçi

Derisa kryeministri Ramush Haradinaj refuzon lëvizjen e kufijve me Seribnë, në secilën formë, Presidenti Hashim Thaçi thotë se idenë e tij për korrigjim kufijsh e përkrahin 90 për qind e kabinetit qeveritar. Në Qeverinë Haradinaj nuk kanë koment për deklaratat e të parit të shtetit.

Duke injoruar tërësisht deklaratat e Kryeministrit Haradinaj, i cili thotë se askush nuk guxon t’i lëviz kufijtë, Thaçi, në një intervistë televizive në Shqipëri tha se shumica absolute e kabinetit qeveritar nuk mendojnë si Haradinaj, por si ai. 

“Sot, 90 për qind e anëtarëve të Qeverisë së Kosovës e mbështesin korrigjimin”, tha Presidenti.

Kësisoj, Thaçi për të disfatën herë deklaron se ai ia kontrollon Qeverinë Haradinajt. Për krejt këtë Zyra e Kryeministrit nuk ka asnjë koment. 

Media ka pyetur stafin e kryeministrit Haradinaj nëse vartësit e shefit të Qeverisë, zëvendëskryeministra e ministra, janë deklaruar pro ndryshimit të kufijve, ata kanë thënë se nuk kanë asnjë koment rreth kësaj.

Presidenti Thaçi, të enjten mbrëma po fliste për përkrahjen absolute që ai thotë se e ka për idenë e tij rreth korrigjimit të kufirit me Serbinë.

Nuk dihet se si Thaçi i kishte bërë ato matje, por thoshte se 80 për qind e popullit janë pro idesë së tij për ndryshim kufijsh.

“80 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin korrigjimin e kufirit. Edhe presidenti, edhe kryeministri mund të ndërrohen, por korrigjimi do të ndodhë. 98 për qind e qytetarëve në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc e mbështesin bashkimin e Luginës me Kosovën. Ndërsa, mbi 90 për qind e qytetarëve të Kosovës e mbështesin kërkesën që Presheva, Medvegja e Bujanoci t’i bashkohen Kosovës. Nuk ka individ që do mund ta bllokojë këtë proces, sepse ne do të shkojmë në referendum dhe vetë qytetarët do ta thonë fjalën e tyre”, ka thënë Thaçi.

Nga ana tjetër, Haradinaj, deri më tash, nuk është lëkundur nga qëndrimi i tij kundër korrigjimit të kufijve. 

Ai me dhjetëra herë ka deklaruar se prekja e kufijve, për të do të thotë luftë dhe kjo, sipas Haradinajt, nuk guxon të ndodhë.

E, në një intervistë që Haradinaj pati në Shqipëri, tha se Thaçi nuk e ka seriozisht çështjen e korrigjimit të kufijve, sipas së cilës, Presidenti thotë se do të kërkojë në Bruksel që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës. Sipas Haradinajt, Thaçi e ka taktikë politike këtë iniciativë.

“...e ka prezantu si një debat taktik politik, si kundërpërgjigje ndaj retorikës që vjen nga Beogradi”, ka thënë kryeministri i Kosovës për takimet me Thaçin, ku kanë përmendur çështjen e shkëmbimit të territoreve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat