Ende s’ka datë për takimin e radhës Thaçi-Vuçiq

Aktuale

Ende s’ka datë për takimin e radhës Thaçi-Vuçiq

Më: 23 shtator 2018 Në ora: 12:06
Dialogu në Bruksel, foto arkiv

Kosova ka hyrë tanimë në fazën përfundimtare të bisedimeve me Serbinë në Bruksel me qëllim që të arrihet një zgjidhje e përbashkët për të dyja vendet.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka dhënë qëndrimin e tij se me Serbinë duhet të gjejnë kompromisin  përmes paqes  për një marrëveshje e cila sipas tij, duhet të  rezultojë me njohje të pavarësisë së Kosovës nga ana e shtetit serb.

Mirëpo, për këtë marrëveshje Presidenti serb, Aleksadër Vuçiq si dhe zyrtarë të tjerë pranë Qeverisë serbe kanë thënë se do të jetë jashtëzakonisht e vështirë për të gjetur zgjidhjen përfundimtare me Kosovën.

Megjithatë, ata shpresojnë se një zgjidhje do të bëhet në bashkëpunim me  Bashkimin Evropian.

Sa i përket takimit të radhës se kur pritet ta zhvillojnë dy presidentët, në Bruksel, BE nuk kanë bërë të ditur ende një gjë të tillë.

Zëdhënësja e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Maja Kocijançiç ka thënë se është ende herët të flitet për datën se kur do të takohen Thaçi e Vuçiq.

“Për momentin nuk mund të njoftojë për datën e takimit”, ka thënë shkurt Kocijançiç.

Ndërkaq,  Presidenti, Thaçi po vazhdon ta përsërisë idenë e tij për korrigjimin e kufijve apo shkëmbimin e territoreve mes Kosovës e Serbisë. I pari i shtetit, ka theksuar se do ta propozon në dialog çështjen e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën, madje pa humbur pjesë të territorit tonë.

Mirëpo, për këtë temë nuk dihet ende se a do të bisedohet në Bruksel.

Kujtojmë, se Qeveria “Haradinaj” ka krijuar Ekipin e Unitetit në krye me Fatmir Limajn për bisedimet me Serbinë, i cili është dërguar në Kuvend, veçse nuk po mund të miratohet pasi që po kundërshtohet nga opozita, me ç’rast nuk janë votat e nevojshme.

Ndryshe, mediat serbe  kanë paralajmëruar sot  se Shtetet e Bashkuara të Amerikës së shpejti do të përfshihen më aktivisht si ndërmjetësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas gazetës “Danas” përfshirja e amerikanëve do të zhvillohet përmes “shuttle diplomacisë”, në bisedat me zyrtarët më të lartë në kryeqytetet e Serbisë e të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat