Rasti “Veteranët”, tendencë për ta dështuar gjithë procesin

Aktuale

Rasti “Veteranët”, tendencë për ta dështuar gjithë procesin

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 14:05
Foto ilustrim

Aktakuza e dorëzuar në gjykatë, me emrat dhe të dhënat personale të personave që dyshohet se janë përfitues të kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po konsiderohet të jetë e qëllimshme.

Njohës të drejtësisë dhe çështjeve politike në Kosovë, po thonë lista të cilës iu shtuan mbi 1300 emra të rinj, u bë me qëllim që të dështohet ky proces tutje në gjykatë.

Ndërkohë, organizata që mbrojnë të drejtat e njeriut, deklarojnë se publikimi i të dhënave personave të personave në fjalë, është vepër penale.

Problemi me listat e veteranëve të UÇK-së, i njohur tashmë në opinion si një prej çështjeve më të komplikuara dhe vështirë të zgjidhshme, duket se veç është thelluar.

Javën që shkoi, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë,  të cilën e ka dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, për lëndën që trajton çështjen e veteranëve të UÇK-së në drejtim të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjithashtu u publikua lista e atyre që dyshohet se përfitojnë kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit të luftës, por që në mesin e tyre dolën edhe emra të cilët kontribuuan vërtetë gjatë luftës në Kosovë.

Prokurori i dorëhequr, Elez Balakaj, që mirrej me çështjen e veteranëve, pas këtij publikimi, tha se nuk mban përgjegjësi për aktakuzën, meqë sipas tij, ajo ka pësuar shumë ndryshime, duke u shtuar kështu mbi 1300 emra të rinj.

Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thonë se veprimi i Prokurorit të Shtetit, me shtimin e këtyre emrave në aktakuzë dhe publikimi i emrave pastaj, me të gjitha të dhënat personale, dëshmon se ka tendencë për të dështuar në tërësi rastin.

Betim Musliu nga IKD, thotë se krejt kjo është bërë qëllimshëm.

Musliu: Po synohet të dështohet rasti me veteranët

“Kjo, konsiderojmë se është bërë qëllimshëm nga prokurori i shtetit në mënyrë që të komprometohet i tërë procesi dhe si i tillë të jetë i dështuar në baza të mëtejme në gjykatë. Pra, këta emra që janë futur nuk janë emra që janë identifikuar se janë bërë në listë në kundërshtim me ligjin, prandaj edhe nuk janë futur nga prokurori Elez Blakaj, por janë futur qëllimisht nga prokurori i shtetit”, thotë ai.

Ndërsa Rasim Alija, njohës i çështjeve politike në Kosovë, thotë se që në fillim të këtij procesi ka qenë e përfshirë politika, dhe se krejt kjo është bërë për kalkulime të votave.

Alija: Veprime të qëllimshme me qëllim të komprometimit të procesit

“Unë jam i bindur që nuk është një shkarje e atyre që e kanë përgatite aktakuzën, është bërë qëllimisht vetëm me kompromentuar gjithë procesin, ose fillimin e hetimit të listave të veteranëve dhe dallavereve që kanë ndodh ndërkohë me listat e veteranëve. Qëllimi kryesor siç duket, i gjithë kësaj problematike, e sidomos i futjes së emrave të rinj në aktakuzën e listës së veteranëve, ka të bëjë në krijimin e një hutie edhe në opinion, dhe ballafaqimin e njerëzve, strukturës sociale në Kosovë, e atyre që e meritojnë me qenë pjesë e listave, dhe këtyre manipulantëve që kanë jap shuma të caktume, mirëpo edhe atyre që i kanë pranuar. Sepse, i gjithë faji është tek ata që e kanë krijuar skemën e futjes në lista të veteranëve përmes pagesës ose shumës së caktume që kanë marrë individ të caktuar që kanë qenë në krye të komisioneve qoftë në nivelin qendror, qoftë në nivele lokale”, thotë Alija.

Fakti që në lista po figurojnë edhe të dhënat personale të personave të përfshirë, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut po vlerësohet si vepër penale.

Behxhet Shala nga KMDLNj thotë se emrat dhe të dhënat personale nuk është dashur të publikohet në asnjë formë, pa një vendim të gjykatës.

Shala: Publikimi i të dhënave është vepër penale, dikush duhet të marrë përgjegjësi

“Në asnjë mënyrë nuk është dashur që këta emra të bëhen publik, pa një vendim të gjykatës. Këtu nuk kemi vendim të gjykatës e cila e lejon bërjen publike të këtyre emrave, e kjo është edhe vepër penale dhe dikush do duhej të jepte përgjegjësi pse këta emra kanë dalë në publik sepse nëse dikush nuk është i dënuar me vendim të gjykatës ai konsiderohet i pafajshëm derisa e ka një vendim të plotfuqishëm të gjykatës. Këtu nuk kemi asgjë nga gjykata dhe të bëhen publike listat me 21 mijë emra e mbiemra ku ka edhe të dyshuar si veteranë të rrejshëm, mashtrues, ku ka edhe njerëz të cilët kanë luftuar tërë kohën dhe që lufta e tyre është dëshmuar sepse ka dëshmi të mjaftueshme e bindëse që ata nuk janë veteranë të rrejshëm, në këtë mënyrë është krijuar njëfarë ‘mishmashi’ nuk e di a i rëndësishëm a me qëllim” thotë ai.

Sipas Shalës, kështu mund të pengohen hetimet dhe mund të ndikohet në dëshmitarë.

Ai vlerëson se është krijuar një situatë kur çdo kush mund të kërcënojë dhe askush nuk e ka sigurinë e garantuar.

Problemi me listat e veteranëve në Kosovë është i thellë dhe në vazhdimësi persona të caktuar kanë përfituar kundërligjshëm në emër të statusit të veteranit të UCK-së, duke rezultuar kështu me fryrje të listave.

Betim Musliu nga IKD vlerëson se procesi i verifikimit apo pastrimit të listave, mund të zgjasë me vjet, por edhe të mos përfundojë fare.

Musliu:  Rasti me veteranët do të jetë prej rasteve më sfiduese

“Vet shqyrtimi i pothuajse 20 mijë emrave, ankesave në gjykatë nënkupton që do të marr kohë me muaj e vite, prandaj proceduralisht i bjen që do të jetë një prej rasteve më sfiduese, dhe i cili në kohëzgjatje mund të marrë shumë kohë, por në fakt edhe mund të jetë një prej rasteve që nuk mund të përfundojë fare”11.14....11.30 Prandaj kjo dëshmon se ky rast kështu siç është dërguar dhe siç është dhënë publicitet përmes publikimit të emrave në aktakuzë dëshmon se është bërë qëllimshëm nga prokuroria që ky rast mos të mund të procedohet ashtu siç parashihet brenda afateve ligjore”, thotë ai.

Ndërkohë, organizatat e dala nga lufta (OVL-UÇK), kanë kërkuar shpjegim nga Prokuroria se a po bën hetime e riverifikim.

Ata kanë kërkuar që Qeveria të fillojë me rivlerësimin e gjithë këtij procesi me anë të një Komisioni.

Kryesia e Organizatave të Veteranëve të Luftës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës vlerësojnë se është bërë shkelje me publikimin e listës së atyre që mendohet se kanë përfituar kundërligjshëm.

Ata kanë kërkuar që asnjë veteran që ndodhet në atë listë të mos dërgojë padi në prokurori deri në një njoftim të radhës.

Por, të gjithë ata që i kanë emrat në listë dhe që pretendojnë se mund të dëshmojnë të kundërtën, do të kenë të drejtë ankesë në gjykatë për pretendimin e prokurorisë.

Ndryshe, rasti me listat e veteranëve të UCK-së është prej rasteve të rralla në Kosovë që duket se do të marrë shumë kohë për t’u zbardhur.

Një të ngjashëm, Kosova e kishte me rastin e  njohur si “Stentat” rast ky që vetëm për mbajtjen e seancës fillestare iu deshën muaj e vite.

Për rastin “veteranët” të akuzuar zyrtarisht janë 12 persona, të gjithë anëtarë të Komisionti Qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat