Shoqëria civile: Kuvendi nuk mund të anashkalohet në marrëveshjet ndërkombëtare

Aktuale

Shoqëria civile: Kuvendi nuk mund të anashkalohet në marrëveshjet ndërkombëtare

Më: 22 shtator 2018 Në ora: 00:24
Miftaraj, Spahija

Kërkesa e presidentit Thaçi drejtuar Gjykatës Kushtetuese për marrëveshjet ndërkombëtare ka ngjallur reagime të shumta.

Kryeministri Haradinaj ka thënë sot se askush nuk ka vënë në pikëpyetje kompetencat e Presidentit, prandaj është mirë që edhe ai të mos cenojë kompetencat e kuvendit.

“Asnjëherë nuk kemi vënë në pikëpyetje funksionet e Presidentit, mirëpo nuk duhet të vihen në pikëpyetje as kompetencat e kuvendit”, deklaroi Haradinaj.

Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se në çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të anashkalohet Kuvendi ngase sipas tij kushtetuta është shumë e qartë në këtë drejtim.

“Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë në këso raste, ngase edhe nëse amandamentohen ose tërhiqemi nga marrëveshjet ndërkombëtare, procedura është e njëjtë ashtu siç janë miratuar. Shembull është vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është dashur të dërgohet për miratim në kuvend me 2/3 e votave”, ka deklaruar Florent Spahija nga KDI.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi shprehet se një veprim i tillë lidhet me funksionalizimin e Gjykatës Speciale.

“Kjo kërkesë ka të bëj me funksionalizimin apo zbatimin e disa urdhëresave që mund të ndodhin gjatë këtij viti. Flasim për një marrëveshje që është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3 e votave, dhe nëse kjo Gjykatë Kushtetuese nga përvojat e mëhershme do të ishte në gjendje të jep një interpretim kësaj dispozite që nuk do të përkonte me vetë frymën e kushtetutës, do t’i mundësonte presidentit që në procese të rëndësishme ku do të duhej që kuvendi të merrte vendime, ai do t’i merrte vet”, tha Miftaraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat