E thotë edhe Thaçi: UÇK-ja s’kishte më shumë se 13 -15 mijë ushtarë

Aktuale

E thotë edhe Thaçi: UÇK-ja s’kishte më shumë se 13 -15 mijë ushtarë

Më: 21 shtator 2018 Në ora: 22:29
Hashim Thaçi

Presidenti Hashim Thaçi ka folur rreth numrit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndryshe nga kryeministri Ramush Haradinaj, Thaçi mendon se numri i atyre që kapën armët në dorë në kuadër të UÇK’së s’mund të kalojë 15 mijëshin.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur më tepër luftëtarë sesa 13 mijë, maksimalisht 15 mijë luftëtarë”, tha Thaçi në ‘Debat’ në RTK.

‘Gjatë periudhës së bombardimit të NATO’s në zonën e Prizrenit në rrethinë, nuk po flas për Vrri dhe pjesën e Hasit, kanë qenë diku rreth 500 ushtarë të identifikuar, luftëtarë. Menjëherë, tre-katër ditë pas hyrjes së NATO’s mbi 5 mijë njerëz me uniformë kanë lëvizur nëpër qytetin e Prizrenit. Nuk e di kah kanë ardhë. Nuk du t’i hi në hak kurrkujt për asnjë minut kontribut për liri, por kontributi është diçka tjetër, pjesëtari o diçka tjetër dhe luftëtari është diçka tjetër’, theksoi ai.

“Nuk duhet të ketë ndërhyrje politike. Drejtësia të thotë fjalën e saj. As buxheti i Zvicrës s’mund të mbulojë këtë masivitet”, theksoi ai.

Numrin prej rreth 13 mijë veteranësh e tha fillimisht ish-komandanti i përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sylejman Selimi.

“Ose të fillohet nga baza, 12700 sa ka qenë dhe mandej të fillohet të verifikohet pjesa tjetër të cilët kanë apliku. Ose cila formë tjetër, por kjo formë për të cilën ende mendoj se janë duke aplikuar njerëz, por kjo nuk i bën nderë as atyre që aplikojnë por nuk i bën nder as atyre që kanë luftu, nuk na bën nder as neve si shtet”, ka thënë Selimi.

Me këtë shifër është pajtuar edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ndërkohë kryeministri Haradinaj mendon se UÇK kishte 60 mijë luftëtarë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat