Letra e komandant Telit e shkruar nga fronti për vajzën e tij ua mbush sytë me lot: Janë këto fjalët e mia të fundit...

Aktuale

Letra e komandant Telit e shkruar nga fronti për vajzën e tij ua mbush sytë me lot: Janë këto fjalët e mia të fundit...

Nga: N.Sh Më: 20 shtator 2018 Në ora: 18:15
Komandant Teli

Ish-luftëtari i UÇK-së Bajram Arifi- Komandant Bala, ka publikuar një letër të komandant Telit, i vrarë, siç thotë ai, nga tradhtarët gjatë luftës në Maqedoni.

Në letrën e Lefter Bicaj – komandant Telit, gjatë frontit të luftës, shkruan për vajzën e tij.

“Ah sa kisha dashur që të jem afër teje, të shoh se sa je rritur. Por edhe pse jam larg, larg saqë na ndajnë dy botëra, unë e ndjej veten krenar dhe shumë afër teje, kur e di se për çka u sakrifikova, e ti bija ime e dashur, duhet të jesh shumë krenare, gjithmonë të ecësh me kokë të ngritur lart, të mos dorëzohesh edhe pse disa të mendojnë për jetime”, thuhet në letrën e shkruar nga komandant Teli, transmeton gazeta “Bota sot”.

Më poshtë, ua sjellim reagimin Arifit dhe letrën e plotë të komandant Telit:

Po e përkujtojmë legjendën Lefter Bicaj (komandant Teli) i cili u vra nga tradhtaret gjate luftës ne Maqedoni. Letra e tij shkruar në mes të frontit i kushtohet vajzës së tij;

Bija ime!

Ah sa kisha dashur që të jem afër teje, të shoh se sa je rritur. Por edhe pse jam larg, larg saqë na ndajnë dy botëra, unë e ndjej veten krenar dhe shumë afër teje, kur e di se për çka u sakrifikova, e ti bija ime e dashur, duhet të jesh shumë krenare, gjithmonë të ecësh me kokë të ngritur lart, të mos dorëzohesh edhe pse disa të mendojnë për jetime.

Unë jam larg, thash sa dy botëra, por shpirti im çdo mbrëmje vie në natë, në dhomën tënde ti përkdhel flokët e arta, flokët e gjata, që aq shumë i desha. Pas ca kohësh me anë të kësaj letre, nuk dëshiroj që të të arsyetohem për ikjen time pa fjalë, pa gjurmë, por të të them se edhe pse unë vdiqa, këtij populli të përvuajtur duhej t'i dalë dikush në krah. Unë isha i fundit që mora këtë guxim, sepse shokët e vëllezërit e mi, mu atëherë kur u paraqita për në luftë, ata vetëm se kishin ujitur tokën me gjakun e tyre, e lulet e lirisë sa vijnë e rriten. Bija ime! Ngre kokën lart, se nuk dëshiroj të të shoh se si e ndjen veten jetime. Ta lash nënën, e cila ishte frymëzimi im për të shkuar në luftë, zemra e cila gjakoi për mua, që juve t'ju shoh të lirë, të kënaqur në atdheun tonë të shkelur nga çizma e fëlliqur. Ajo prej tani do të jetë udhëzimi yt, por të përkujtoj, kujdesu shumë për të.

Bija ime!

Letrën që po e lexon, është shkruar mu në front, ku dominon fryma e barotit, fryma e lirisë, sepse llomotitjet e askujt nuk vlejnë, e as shitjet e patriotëve nuk bëjnë para, nëse nuk je në front të luftës, e të shikohesh me armikun nëpërmjet shënjestrës. Kjo është kënaqësia e vetme, që mund ta përjetojë secili që dëshiron të vdesë e jo të luftojë me shpresë që të kthehet në familje. Të lutem bija ime! Mos ma kërko varrin se nuk do të ma gjeshë. Dije edhe mbaje mend se varri im është në Sllupçan, në Tanushë, në Kalanë e Tetovës. Këtu prehen eshtrat e mia. Të lutem mos ngurro, dhe thuaju të gjithëve që mos të ngurrojnë që të më ngrisin përmendore, sepse nuk dhashë jetën për përmendore e për strofa këngësh, por vetëm e vetëm që të fitoj kënaqësinë e Zotit që e falënderoj shumë që më gatoi aq mirë. E di se tash duke i lexuar këto rreshta të pikojnë lotët, por më vie shumë e qartë se ato janë lotët e krenarisë, e jo lotët e dhimbjes për babanë e vdekur, për babanë i cili flijoi veten sikur shumë baballarë tjerë.

Bija ime!

Janë këto fjalët e mia të fundit, sepse pas kësaj nisem në një betejë në të cilën nuk ka mbrapa. Bëhu vajzë e mirë, e ndershme, e dëgjueshme ndaj nënës, bëhu vajzë e diturisë, e sinqertë. Mos lejo që kjo botë mashtruese të të kapë me thonjtë e saj të fëlliqur e të të çojë ku janë shumë vajza të mbetura rrugëve të Italisë e Evropës. Nëse bija ime nuk përfundon kjo luftë e ti rritesh, do të kisha dashur që edhe ti të jesh në rradhët e ushtrisë së popullit, sepse vdekja nuk është asgjë për ata që i ofrohen vullnetarisht. Ajo është fazë që kërkon haraçin e saj, por që shpërblehet me një botë, me një jetë tjetër për të cilën po ta dinte mirë bota, do të ngarendnin të gjithë që ta marrin me shpatë. Të lutem bija ime, përshëndeti të gjithë njerëzit që më kanë njohur, të gjithë miqtë. Përshëndete nënë tënde dhe ruaje si sytë e ballit, sepse shumë e respektova dhe më respektoi. Mirë u pafshim në botën e amshuar, në botën ku nuk ka më brenga. Dhashtë Zoti që të jemi të gjithë bashkë, në njërin kopsht të Parajsës.

E dashur, mos ia trego dhe mos ia lexo letrën çupës tonë deri sa të rritet e deri sa t'i mësojë shkronjat. Ju dua shumë.

ILIRET

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat