Lushtaku: Sylejman Selimi është i kidnapuar

Aktuale

Lushtaku: Sylejman Selimi është i kidnapuar

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 13:02
Sami Lushtaku në protestë

(E plotësuar) - Qytetarë, bashkëluftëtarë dhe udhëheqës të shoqatave të dala nga lufta kanë protestuar sot para Pallatit të Drejtësisë në Hajvali për lirimin nga burgu të gjeneral Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.

Avokati i Selimit, Tomë Gashi duke kërkuar lirimin e Sylejman Selimit ka thënë se ai padrejtësisht dhe politikisht po mbahet në burg.

Gashi ka thënë se Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku janë duke u mbajtur për më tepër se pesë vjet  në paraburgim apo siç thuhet në vuajtje të dënimit me aktgjykime in-ekzistente, pasi janë dënuar në mënyrë të kundërligjshme, pa asnjë provë kredibile dhe vetëm për të plotësuar dëshirën e dikujt, dhe ky dikush ka qenë gjyqtari kryesor i EULEX-it.

Gashi: Shkelje e të drejtave të njeriut

“Ne kemi paraqitur me dhjetëra urgjenca, kërkesa për lirimin e gjeneral Sylejman Selimit, por deri më tani nuk ka kurrfarë rezultati pozitiv dhe kjo është shkelje e të drejtave themelore të njeriut, shkelje e të drejtave të çlirimtarëve , dhe tani më kjo protestë është organizuar nga bashkëluftëtarët e tyre, për ta shprehur mllefin dhe për të kërkuar drejtësi për Sylejman Selimin, Jahir Demakun dhe të gjithë ata që janë nëpër burgjet e Kosovës si ish pjesëtar të UÇK-së në mënyrë të pa drejtë”, deklaroi Gashi. 

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari, ka kërkuar lirimin e ish-komandantit të UÇK-së Sylejman Selimi dhe të tjerët, pasi sipas tij, ishin kontribuues të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. 

Jashari: Turp i madh për drejtuesit e institucioneve

“Ne po protestojmë pikërisht për drejtësinë, që në emër të saj pa drejtësisht mbahen në burg gjeneral Sylejman Selimi dhe bashkëluftëtarët e tij. Të gjithë e dimi se për të ardhur te liria, është dashur sakrificë, është dashur luftë dhe sot të mbahen pa drejtësisht pikërisht ata që dje udhëhoqën luftën, ata të cilët dje ishin në gjendje të sakrifikojnë edhe jetën e tyre për të qenë të lirë ne, që mendojë se për të gjithë ata të cilët janë në institucionet e Republikës së Kosovës, është një turp i madh”, tha Jashari.

Ndërsa bashkëluftëtari i Selimit dhe organizatori i protestës Arton Hoti tha se tash e tre muaj Selimi po mbahet në burg pa asnjë të drejtë.

Hoti: Kërkojmë të lirohet sa më parë gjeneral Selimi

“Pa Ushtri Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte as institucione, as gjykata, as pavarësi të Kosovës. Andaj, kërkojmë nga i gjithë Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe kryeprokurori i shtetit që të marrin masa të menjëhershme që të lirohen çlirimtarët, mos ta mbahen në burg pa kurrë farë të drejte, pa kurrë farë vendimi ligjor”, tha Hoti.

Lirimin nga paraburgimi e ka kërkuar edhe bashkëshortja e  Sylejman Selimit, Kimete Selimi.  Ajo tha se ka më shumë se pesë vjet që janë duke u përballur me padrejtësitë dhe kjo po përjetohet rëndë nga fëmijët e tyre. 

Selimi: I gjithë procesi është politik

“Po presim që me u mbyllë kapitulli me Serbinë dhe nuk po shpresojmë një herë me u lirua, edhe pse dëshira është shumë e madhe dhe drejtësia është në favor tonin, por po shihet që është politikë… Qe tre muaj është duke u mbajtur pa asnjë bazë ligjore”, theksoi bashkëshortja e ish-komandantit Selimi

Pjesë e kësaj protestë ishte edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili theksoi se Sylejman Selimi nuk është i burgosur, por i kidnapuar.

Lushtaku: Sylejman Selimi është i kidnapuar, nuk është i burgosur

“Mjetet ligjore e tha edhe avokati më herët, kështu që besoj që Sylejman Selimi nuk është i burgosur, është i kidnapuar realisht, por ajo që kërkojmë është se drejtësia ta japë fjalën e fundit dhe Sylejman Selimi të lirohet, t’i kthehet familjes së vet, miqve, dashamirëve dhe këtij vendi, i cili ka shumë nevojë edhe për Sylën”, ka thënë Lushtaku.     

Protestuesit janë shpërndarë të qetë dhe organizatorët paralajmëruan protesta edhe në të ardhmen deri në lirimin e “Grupit Drenica” nga burgu.

***

Qytetarë e veteranë të shumtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mblodhën sot para Pallatit të Drejtësisë në Prishtinë për të protestuar për lirimin nga burgu të Sylejman Selimit dhe Jahir Demakut.

Në mesin e protestuesve ishin edhe përfaqësues nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.

Bashkëluftëtari i Selimit e Demakut, Sami Lushtaku, tha se kërkesë e vetme e tyre është që të respektohen ligjet.

“Sylejman Selimi nuk është në burg, po është i kidnapuar. Uroj që ai të lirohet dhe t`i kthehet familjes, qytetarëve dhe Kosovës”, tha Lushtaku.

Ndryshe protesta përfundoi e qetë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat