Lekaj bën thirrje për kujdes më të madh në trafik

Aktuale

Lekaj bën thirrje për kujdes më të madh në trafik

Më: 19 shtator 2018 Në ora: 12:01
Pal Lekaj

Në kuadër të Ditës Evropiane të Sigurisë në Rrugë me moton “ Rrugë pa aksidente”, Ministria e Infrastrukturës në bashkëpunim me Departamentin për Siguri Rrugore dhe Departamentin e Automjeteve, kanë ofruar testimin e frenimit të automjeteve falas për qytetarët e Kosovës.

Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka përcjell nga afër këtë lloj testimi i cili sot po ofrohet falas edhe në qendrën e kontrollit teknik “Reforma” në Shkabaj.

Lekaj ka apeluar për të gjithë shoferët që të jenë më të kujdesshëm, dhe të gjitha qendrat e kontrollit teknik të automjeteve të mos bëjnë lëshime gjatë kontrollit.

Sipas tij një lëshim gjatë kontrollit teknik të automjeteve ndikon në rritjen e aksidenteve.

Lekaj:Çdo lëshim gjatë kontrollit teknik ndikon në aksidente?

“Qendrave teknike për kontroll të automjeteve iu bëjmë apel që mos të kenë lëshime, apo mos të shikojnë vetëm sa për thënë se kemi bërë një kontroll teknike, por që të kryejnë obligimet e tyre ashtu siç janë thirrur dhe kanë licencën për kontroll teknike të automjeteve. Ne si ministri e Infrastrukturës po e bëjmë më të mirën të mundshme që të kemi rrugë të sigurta, të kemi automjete të sigurta dhe që t’i ruajmë jetërat e njerëzve. Çdo lëshim këtu i kontrollës teknike ndikon edhe në aksident që fatkeqësisht këtë vit kemi pasur bukur aksidente me fatalitet”, u shpreh Lekaj.

Ministri Lekaj u shpreh i përkushtuar në ofrimin e sigurisë më të madhe në rrugë.

Lekaj: Do krijojmë standarde evropiane në rrugë

“Do të krijojmë standarde, sinjalistika duhet të jetë ashtu me standarde evropiane, ndriçimi i rrugëve po ashtu,do të kujdesemi dhe do të kemi kontroll të shpeshta në qendrat për  kontroll teknike të automjeteve edhe me broshura, me programe edukative për vozitësit dhe qytetarët...Kur kanë filluar shkollat do të jemi të kujdesshëm dhe do të praktikohet që edhe në shkolla fillore të filloj një edukim se si shfrytëzohen rrugët” , ka deklaruar ai.

Drejtori i drejtorisë për preventivë në trafikun rrugor në Policinë e Kosovës, Jeton Rexhepi duke i përmendur masat preventive që i kanë ndërmarrë  për të rritur sigurinë në rrugë, tha se ka rënie të aksidenteve krahasuar me vitin e kaluar.

Rexhepi: Për periudhën janar-gusht kemi rënie të aksidenteve krahasuar me vitin e kaluar

“Për periudhën janar-gusht të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar mund të them se të gjitha aksidentet kanë shënuar rënie duke përfshirë aksidentet me fatalitet, aksidentet me lëndime dhe aksidente në përgjithësi. Është krijuar task-forca për parandalimin e aksidenteve në trafikun rrugor, janë futur në përdorim automjetet civile të cilat kanë për qëllim identifikimin dhe dëshmimin e kundërvajtjeve në trafikun rrugor”, tha Rexhepi.

E shoferi, Bekim Aliu i cili e bëri falas testimin e frenimit të automjetit në Qendrën e kontrollit teknik “Refomra” u shpreh se këtë lloj testimi e bën shpesh me qëllim që të ketë siguri më të madhe gjatë ngasjes.

Aliu: Vetura është në rregull, jam i kënaqur me vlerësimin

“Sapo mora rezultatet e veturës, vetura është në gjendje të rregullt përveç disa defekteve të vogla, po jam i kënaqur me vlerësimin…Domosdoshme çdo vjet që  e kemi e bëjmë gjithmonë dhe ndonjëherë brenda vitit kur kemi me marr rrugë pak më të gjatë“, tha ky shofer.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat