Ministrja Hoxha kërkoi mbështetjen e Çekisë për procesin e liberalizimit të vizave

Aktuale

Ministrja Hoxha kërkoi mbështetjen e Çekisë për procesin e liberalizimit të vizave

Më: 18 shtator 2018 Në ora: 18:52
Foto nga takimi

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Çekisë, sot u prit në takim nga Radek Koten, kryetar i Komisionit për Siguri në Parlamentin e Çekisë, si dhe nga Lubomir Zaoralek, kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme në Parlamentin e Çekisë.

Siç njofton MIE, ministrja Hoxha e njoftoi kryetarin e Komisionit për Siguri në Parlamentin e Çekisë si dhe Kryetarin e Komisionit për Politikë të jashtme, për reformat gjithëpërfshirëse të ndërmarra për procesin integrues si dhe plotësimin e të gjitha kritereve për liberalizimin e vizave, të parapara me udhërrëfyes. 

Ministrja theksoi se qytetarët e Kosovës presin nga vendet mike, si Çekia, të njohë të arriturat dhe të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve tanë duke përkrahur votimin në Këshillin e Ministrave.

Ministrja Hoxha i njoftoi mikpritësit për reformat e ndërmarra në fushën e migracionit, me theks të veçantë në reformat legjislative të cilat fuqizojnë kontrollin e kufijve, politikat ndaj të huajve si dhe azilit. Kosova nuk paraqet rrezik sa i përket migracionit ilegal, theksoi Ministrja Hoxha, sepse kemi gjithë infrastrukturën e duhur ligjore dhe institucionale.

Në diskutim, Hoxha kërkoi mbështetjen e Çekisë, fazat e mbetura të procesit për liberalizimin e vizave për Kosovën dhe theksoi se Kosova dhe qytetarët e saj e presin këtë vendim, sepse që nga viti 2012 është punuar për të marrë rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian.

“Koten dhe Zaoralek, përgëzuan ministren Hoxha për reformat e ndërmarra dhe e siguruan atë se Çekia, përkrah Kosovën në procesin integrues siç e ka përkrahur edhe në proceset tjera të rëndësishme deri më sot.

Ministrja Hoxha gjatë kësaj vizite dyditore do të zhvilloj edhe takime tjera të rëndësishme për liberalizimin e vizave, përkrahje e cila është ofruar në kontinuitet nga Çekia”, thuhet në njoftim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat