Njeriu që u përball me Millosheviqin, dëshmitari për masakrën e Izbicës në listën e veteranëve të rrejshëm, ky është reagimi i tij

Aktuale

Njeriu që u përball me Millosheviqin, dëshmitari për masakrën e Izbicës në listën e veteranëve të rrejshëm, ky është reagimi i tij

Nga: P.R Më: 17 shtator 2018 Në ora: 17:26
Ish-mjeku i UÇK-së, Liri Loshi

Ish-mjeku i UÇK-së, Liri Loshi, i cili ka qenë si dëshmitarë në Hagë, për masakrën në Izbicë, kundër kriminelit, kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, përmes një postimi në facebook, ka reaguar pas publikimit të listave me veteranët e rrejshëm, ku figuron edhe emri i Liri Loshit.

“Sot kuptova se ndodhem në listën e veteranëve të rrejshëm të Prokurorisë. I tërë ky postim është vetëm për qëllim të informimit të miqve dhe lexuesve të mi. Asgjë tjetër. Ecim tutje pa ndalur hapin asnjë qast. Pa m’u trembyr syri prej askujt, as prej as Prokurorisë dhe as drejtësisë. Nuk kam kohë të merrem me pisllëqe!”, ka shkruar Loshi, përcjellë “Bota sot”.

Ky është postimi i plotë:

Kam qenë pjesëtar i UÇK-së që nga 5 marsi i vitit 1998. Kam dhënë betimin para komandantit Abedin Rexha - Sandokani! Bashkë me Abedin Rexhën dhe Shaban Musliun kemi themeluar dhe kemi emëruar strukturat e Brigadës 112 “Arben Haliti”. Kam qenë ushtar i armatosur dhe i uniformuar. Kam vepruar si ndihmës komandant i komandantit të brigadës Abedin Rexha dhe më vonë i komandantit Jetullah Geci. Kam qenë komandant i moralit për brigadën 112, e cila ka pasur tri batalione ku kam kam pasur tre vartës të mi si komandantë morali në nivel batalionesh, Ajet Beqirin, Hashim Zekën dhe Ramiz Spahiun. Në vijën vertikale kam qenë vartës i komandantit për moral në Zonën e Drenicës, të ndjerit Shaban Shalës. Paralelisht kam vepruar si mjek në territorin e brigadës sime. Më vonë kam drejtuar sektorin e shëndetësisë në administratën e parë civile të formuar gjatë luftës me kryetar Ramadan Dobra (Gashi). Kam vepruar edhe si reporter lufte për Radio Televizionin Shqiptar. Emri im është i njohur për të gjithë ata që kanë ndjekur me vemendje zhvillimet e luftës në Drenicë. Kam përgatitur videon për masakrën e Izbicës, të cilin kah mesi i majit e kam dërguar në Tiranë, me urdhër të Shaban Dragajt, zëvendës komandant dhe me pelqimin e Jetullah Gecit, komandant i Brigadës 112. Video ime ka tronditur njerëzimin dhe ka lëvizur politikën, diplomacinë dhe drejtësinë ndërkombëtare. Asnjëherë nga kjo video nuk kam përfituar asnjë cent. Kam marrë pjesë në tri gjykimet e kriminelve serbë në Hagë në cilësinë e deshmitarit.

Sot kuptova se ndodhem në listën e veteranëve të rrejshëm të Prokurorisë. I tërë ky postim është vetëm për qëllim të informimit të miqve dhe lexuesve të mi. Asgjë tjetër. Ecim tutje pa ndalur hapin asnjë qast. Pa m’u trembyr syri prej askujt, as prej as Prokurorisë dhe as drejtësisë. Nuk kam kohë të merrem me pislleqe!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat