“LDK-ja të heqë tutën nga PDK-ja dhe SHIK-u dhe të dalin në protesta ditë e natë!”

Aktuale

“LDK-ja të heqë tutën nga PDK-ja dhe SHIK-u dhe të dalin në protesta ditë e natë!”

Nehat Shaqiri Nga Nehat Shaqiri Më 15 shtator 2018 Në ora: 16:37
Isa Mustafa, Kadri Veseli

Jeta politike në Kosovë ka kohë që është lidhë nyje, ka rënë një ngërç politik nga i cili është vështirë të dilet.

Kështu thotë prof. Dr. Binak Maxharraj, i cili shton se, qeveria Haradinaj është një qeveri e cila moti ka rënë në një krizë, pa aktivitet të mirëfilltë.

Ai shton se, kjo është një qeveri e skandaleve dhe aferave të llojllojshme, pa ndonjë plan strategjik, pa invencion, pa elan për punë, një qeveri megalomane ku njerëzit brenda qeverisë më shumë marrin n’thu në njeri tjetrin se sa që punojnë.

Image
Prof. dr. Binak Maxharraj

“Është në qeveri pa mbijetesë, një qeveri e cila edhe në çdo rrethanë do ti kishte ditët e numëruara. Por po ecë disi përvuajtshëm si ndonjë breshkë. Kjo Qeveri më mirë të mos ishte se sa qe është. Kjo qeveri duhet rrëzu. Por si të rrëzohet, ajo po ecë në paterica, sepse koalicionit PAN kjo i konvenon, nuk është e interesuar ta rrëzojë”, thotë Maxharraj për gazetën “Bota sot”.

Ai thekson se, opozita nga ana tjetër donë që kjo Qeveri të rrëzohet, por nuk mund ta rrëzojë sepse nuk i ka numrat e mjaftueshëm për ta bërë një gjë të këtillë. Pastaj opozita, sipas tij disi është e çorientuar, jo fortë e lidhur për ndonjë veprim më serioz.

“Ky qëndrim është i nevojshme të ndryshoj që të lidhet më fuqishëm. Këtu është fjala për LDK dhe LVV. Do të ishte fat i madh që këto dy parti të lidhën dhe të bashkëpunojnë edhe më fuqishëm pa marrë parasysh në disa dallime konceptuale. Për tu arritë kjo së pari brenda LDK duhet të ndodhë një bombardim i fuqishëm që ti lëvizë disa themele të vjetra që kanë zënë vend këtu që nga fillimi, që më shumë tani janë bë pengesë për ecje përpara. E kam fjalën për disa kuadro të vjetra të cilat po e pengojnë këtë parti, por edhe po qesin shkelma si kuajt e vjetër. Këta e kanë zaptu partinë, nuk ju intereson aq shumë suksesi i sajë, janë të lidhur me biznese me “armiqtë” e kësaj partie të cilët përmes tyre po e dëmtojnë LDK”, potencon profesori.

Dr. Maxharraj, shton se, LDK për tu bë një parti e fortë duhet sa më shpejtë të lirohet nga këta pleq, të reformohet, drejtimin ta marrin të rinjtë të aftë për ta qua partinë përpara.

“LDK dhe LVV janë një domosdoshmëri e kohës, kur dihet se këto dy parti edhe e kanë një masë bukur të madhe të elektoratit dhe në zgjedhjet eventuale si të bashkuara do të mundnin ta rrezikojnë Koalicionin PAN i cili si po duket është duke dhanë shpirt, e ka bë bërllok që shumë vite me keqqeverisje dhe menaxhim të shtetit”, pohon ai.

Por, si të rrëzohet qeveria Haradinaj kur mungojnë numrat?

“Kësaj pyetje është vështirë me i dhanë ndonjë përgjigje. Më e mira do të ishte që të rrëzohet në mënyrë institucionale, por kjo është e pamundur sepse opozitës i mungojnë numrat, nuk e ka fuqinë e numrave, por nëse është e zoja të trafikoj ndonjë deputet të pozitës, dhe pse jo, kjo punë tashme është bë e zakonshme në Kosovë. Kjo qeveria e skandaleve dhe aferave të ndryshme mund të rrëzohet edhe në mënyrë jo institucionale përmes protestave të fuqishme, të përditshme. Por,në këtë drejtim duhet të bëhet një ujdi e fortë midis opozitës, që do të thotë se LDK duhet të heqë tutën nga PDK dhe SHIK për të bërë protesta, siç u deklaruan këto ditë, sepse pleqtë e kësaj partie janë të lidhur më “armiqtë” e tyre përmes bizneseve pra janë të shantazhuar”, thekson ai.

Maxharraj thotë se mënyra e vetme për të rrëzuar këtë qeveri dhe me shku në zgjedhej të reja janë protestat e fuqishme.

“Këtë e kanë tregu edhe protestat në shumë vende të tjera më të mëdha se Kosova. Protesta janë e vetmja rrugë për ta rrëzu qeverinë. Qeveria nuk rrëzohet më përralla të gjysheve nëpër konferenca siç i ka zanat LDK-ja”, përfundon prof, dr. Binak Maxharraj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat