ORCA: Operacioni “Vreshtat” demaskon revistën mashtruese

Aktuale

ORCA: Operacioni “Vreshtat” demaskon revistën mashtruese

Më: 14 shtator 2018 Në ora: 11:50
Drejtori i Organizatës për rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci

Drejtori i Organizatës për rritjen e Cilësisë në Arsim, Rron Gjinovci, ka thënë sot në një konferencë për media se organizata që ai drejton ka zhvilluar një operacion të quajtur “Vreshtat” për të demaskuar e revistat e dyshimta.

Gjinovci ka vënë në dukje se ORCA ka arritur të zbulojë mashtrimin e një reviste me emrin International Journal of Pharmaceutical Revieë and Sciences and Research, në të cilën, siç tha Gjinoci, kanë publikuar disa profesorë të UP. Për ta bërë këtë, ORCA ka dërguar te revista në fjalë një punim pa asnjë vlerë shkencore me autor “Rrush Kalaveshin” nga “Universiteti i Ranillukut”. “Hulumtimi i Kalaveshit” është botuar nga revista, duke bërë që të demaskohet skema mashtruese e saj.

Gjinovci tha se një nga profesorët që kanë botuar në këtë revistë mashtruese, Ilir Shehu, nuk është mjaftuar me skandalin në të cilin është përfshirë por, ka tentuar të marrë vesh se kush qëndron pas “Rrush Kalaveshit” i cili zbuloi mashtrimin.

Sipas tij,  Shehu me një anglishte të tmerrshme e me plot gabime, i ka dhënë ultimatum revistës të heqë punimin e “Kalaveshit”, në mënyrë që UP-ja t’i kthehet “ paqes artificiale të mashtrimeve dhe dallavereve”.

Gjinoci: ORCA do të luftojë këdo që përpiqet të minojë rrugën e integritetit akademik

“Orca do ta luftojë këdo që përpiqet ta minojë rrugën e integritetit akademik që institucionet si Ministria e Arsimit, Senati i UP-së, vetë menaxhmenti i UP-së dhe shoqëria civile e Kosovës po mundohen ta shtrojnë. ORCA do të jetë aty për t’i diskredituar përpjekjet e të gjithë atyre dhe për t’i luftu aktivisht ato përpjekje me të gjitha format”, tha  Gjinovci.

ORCA njoftoi se pas mbledhjes së të dhënave ka deponuar sot në Këshillin e Etikës lëndën për shkelje diciplimnore që Ilir Shehu i ka kryer.

Sipas kësaj organizate, Shehu është në kundërshtim me nenin 6, 14 dhe 17 të Kodit të Etikës. Sipas Gjinovcit, Shehu ka kryer shkelje të rënda diciplinore dhe ka shkelur parimet e përgjithshme të përgjegjësive akademike e shkencore të stafit akadmiek. ORCA ka kërkuar që të merren masat e nevojshme ndaj Shehut.

Javë më parë ORCA ka ngritur çështjen e supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilët i kanë zbuluar dy revista shkencore nëpër të cilat disa nga profesorët kanë publikuar nga 18 e 19 punime brenda një viti e gjysmë. Ndërkohë që mesatarja për profesorët norvegjezë është 0.96 punime në vit, pra më pak se një punim brenda vitit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat