Seanca e Kuvendit vazhdon nesër

Aktuale

Seanca e Kuvendit vazhdon nesër

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 10:17
Kuvendi i Kosovës

(E plotësuar) - Seanca e ndërprerë e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë nesër nga ora 11:00.

Pas disa pauzave, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli njoftoi deputetët e pozitës se seanca do të vazhdojë nesër.

Në këtë seancë nuk mori pjesë opozita që kërkonte mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të thirrur prej saj.

Nuk dihet se kur do shqyrtohet rezoluta e PSD-së për dialogun

Rezoluta e Partisë Socialdemokrate për dialogun me Serbinë ende nuk ka gjetur mbështetjen e deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Madje deputetët që e kanë iniciuar këtë rezolutë thonë se nuk kanë marr ende përgjigje as nga partitë në pozitë dhe opozitë se a do e votojnë këtë rezolutë e cila është në rend dite  në seancën e sotme të Kuvendit.

Shumica e deputetëve të partive politike janë shprehur se kjo rezolutë duhet të shqyrtohet, por ka edhe prej atyre që thonë se nuk do e votojnë këtë rezolutë pa u përfshirë në paketë edhe ekipi negociator i udhëhequr nga zëvendëskryeministri e Kosovës, Fatmir Limaj.

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Teuta Haxhiu  ka thënë se rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë do e shqyrtojnë, dhe do japin kontributin e tyre për të përafruar në mendim të përbashkët të partive politike në Kuvend për përmbylljen e dialogut me Serbinë.

Haxhiu: Ne do japim kontributin tonë

“Fatkeqësisht që nuk është diskutuar shumë nga partitë tjera opozitare me përjashtim të  PSD-së, megjithatë atë rezolutë do ta shikojmë  sepse  e kemi përfaqësuesin tonë aty dhe gjithçka çka është me interes të zgjidhjes së situatës, që është me interes për të gjithë vendin, pra përmbyllja e dialogut me Serbinë, ne do jemi aty , do japim kontributin tonë dhe do ta përafrojmë në mënyrë që ta marrim një mendim, një qëndrim të përbashkët të gjitha subjekteve politike në Kuvend”, u shpreh Haxhiu.

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari Lila  u shpreh se e rëndësishme për këtë subjekt politik është të vazhdohet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita dhe të votohet rezoluta për mos ndryshimin e kufijve.

Për rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë tha se kjo rezolutë është në frymën e asaj çka synon opozita të përfshij në platformën e përgjithshme të bisedimeve.

Lila: E rëndësishme për ne është të vazhdoj seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita

“Konsiderojmë që është shumë e rëndësishme që të vazhdohet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita për rezolutën për mos ndryshimin e kufijve, rezoluta e PSD-së është në frymën e asaj çfarë synon opozita të përfshij në një platformë të përgjithshme, është shumë mirë që dje ka shkuar një letër për përfaqësuesen e lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherinit në frymën e opozitës së bashkuar dhe me disa pjesë të cilat janë edhe pjesë e rezolutës së PSD-së, konsiderojmë se tashmë Kuvendi duhet të mobilizohet pozitë dhe opozitë në një pikë, ku duhet së pari të kaloj rezoluta e ofruar nga opozita për mos ndryshim të kufijve , së dyti të miratojmë në Kuvend platformën e bisedimeve dhe së treti pastaj delegacionin për bisedime...Ne do të bisedojmë edhe me PSD se si t’i qasemi kësaj rezolute, bashkëpunimin e kemi , gatishmërinë e kemi që të vazhdojmë bashkëpunimin por edhe që të kem plat formën e përbashkët të  gjitha partive në Kuvend”, u shpreh ajo.

Milaim Zeka deputeti i Nismës Socialdemokrate, thotë  se nuk do e votojë asnjë rezolutë e cila nuk pranon që në paketë të votohet edhe grupi negociator i propozuar nga kryeministri, Ramush Haradinaj.

Zeka shqetësuese dhe fyese e ka quajtur letrën që dje partitë opozitare ia kanë dërguar përfaqësueses së lartë të BE-së, Frederika Mogherini, duke thënë se kanë mundua që edhe partitë e pozitës të nënshkruajnë atë letër.

Zeka: Nuk e votojë asnjë rezolutë e cila nuk e pranon që në paketë të votohet edhe grupi negociator

“Unë nuk do ta votojë asnjë rezolutë e cila nuk pranon që në paketë të votohet edhe grupit negociator i propozuar nga kryeministri Haradinaj të cilit do t’i prij zotëri Fatmir Limaj. Opozita sinqerisht nuk po din çka po don, a dojmë bisedime me Serbinë kur i pyet thonë po, ani atëherë pse mos me marr pjesë Qeveria edhe opozita në këto bisedime. Me një anë e kritikojnë edhe e shajnë gjithë ditën Thaçin duke thënë që ai vetë po vazhdon bisedimet me Vuçiqin, ai nuk po e pyet askënd, në momentin që presidenti i vendit i bënë ftesë pozitës dhe opozitës me u bashkangjitur në delegacion me shkua në bisedime në Bruksel ne u bëmë hora e zotit përpara bashkësisë ndërkombëtare”, tha  Zeka.

Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj duke e konsideruar si të drejtë rezolutën e propozuar nga ky subjekt politik, thotë se  presin mbështetjen e partive politike për ta miratuar këtë rezolutë, ndonëse sipas tij nuk kanë parë ndonjë reagim pro kësaj rezolute nga partitë në pozitë dhe opozitë.

Molliqaj: Presim mbështetjen e forcave politike për t’u miratuar rezoluta

“Nuk kemi asnjë përgjigje zyrtare as nga partitë opozitare as ato në pushtet, besojmë që ka qenë një rezolutë e drejtë e duhur dhe në kohë shumë të rëndësishme për shkak se tashmë po i shohim të gjitha ngërçet politike që ndodhën pas sezonit pranveror të Kuvendit dhe pushimit të tij. Rezoluta jonë parasheh një mënyrë të duhur dhe një proces të rregullt drejt vendimmarrjes sa i përket procesit të dialogut, megjithatë sot është seanca është pika 6 e rendit të ditës dhe presim mbështetjen nga të gjitha forcat politike”,u shpreh Molliqaj.

Lidhur me deklarimet e deputetit të Nismës, Milaim Zeka se nuk do e votojnë asnjë rezolutë  pa përfshirjen e ekipit negociator, Molliqaj tha se presin që fillimisht kjo rezolutë të miratohet, pasi si e tillë ajo e obligon Kuvendin e Kosovës që me dy të tretat të miratohet ekipi negociator dhe platforma për dialogun me Serbinë.

Edhe deputeti i AKR-së Islam Pacolli thotë se do ta shqyrtojnë nëse do ta përkrahin rezolutën e PSD-së për dialogun me Serbinë.

Sipas tij nuk do lejojnë askënd që ta cenojë territorin e Kosovës.

Pacolli: Rezolutën e PSD-së do  e shqyrtojmë, pastaj do marrim vendim

“Ne sigurisht që jemi për ruajtjen e territorit të Republikës së Kosovës dhe për asnjë kusht nuk lejojmë që ta cenon dikush territorin  e Republikës së Kosovës ,apo t’i prek kufijtë. Prandaj ne kemi bashkëpunim me të gjitha grupet parlamentare edhe me PSD-në ne do ta shqyrtojmë dhe natyrisht pas shqyrtimit do ta vendosim”, ka thënë Pacolli.

Ndryshe, rezoluta e propozuar nga PSD-ja për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë në seancën e muajit korrik nuk kishte marrë një epilog në Kuvend për shkak të mungesës së kuorumit.

Rezoluta për caktimin e përgjegjësive institucionale në procesin e dialogut mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë thotë:

1. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës dakordohen që përgjegjësia fundamentale për mbarëvajtjen e procesit të dialogut i takon Kuvendit të Republikës, duke qenë organi më i lartë legjislativ e vendimmarrës në vend;

2. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e miraton Platformën Shtetërore për Dialogun e cila do të shërbejë si dokument bazë i parimeve themeltare dhe të pozicioneve shtetërore në këtë proces të rëndësishëm;

3. Me votë të kualifikuar, me dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve, Kuvendi e mandaton bartësin/t e dialogut. I/të mandatuarit mbahen përgjegjës nga Kuvendi përgjatë secilës fazë të dialogut, dhe marrin vendime vetëm në dakordancë të plotë me të. Kuvendi i Republikës së Kosovës ruan të drejtën e shkarkimit të bartësit/ve kurdo që vlerëson se janë shkelur parimet themeltare të Platformës dhe kur procesi rrezikon të dalë jashtë kornizave të saj;

4. Kuvendi i Republikës, në pajtim me Nenin 69 paragrafi 1 i Rregullores së Kuvendit e themelon një Komision të veçantë që do ta monitorojë për së afërmi procesin e dialogut. Ky Komision do të jetë përgjegjës që ta njoftojë Kryesinë e Kuvendit dhe Seancën Kuvendore për çdo zhvillim në procesin e dialogut – e po ashtu të kërkojë debate të rregullta parlamentare gjatë kohëzgjatjes së tij. Komisioni për Mbikëqyrjen e Dialogut do të drejtohet nga Opozita parlamentare kurse përbërja e tij do të caktohet sipas formulës së përdorur në komisionet e rregullta të Kuvendit.

***

Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se opozita pajtohet të vazhdojë jeta parlamentare vetëm atëherë kur mbahet seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga opozita.

Seanca e opozitës u uzurpua nga pushteti, pasi ishte vjedhje e seancës.

Sipas tij, Hashim Thaçi e ka shantazhuar Ramush Haradinajn, duke i thënë këtij të fundit .

:“Nuk i duhen shumë deputet Hashim Thaçit për t’ia rrëzuar qeverinë Ramushit, 57 vota i ka opozita, me 4 deputet e shantazhin Ramushin, nuk ka nevojë t’i thotë se i ka 23 deputet, veç 4 deputet dhe ia rrëzon qeverinë. Ai i shkreti aq shumë e do pushtetin, e ka treguar që e donë me çdo kusht dhe e pamë atë ditë që përpjekja e tij ishte për t’ia bërë një ekip qeveritar që i bashkohet dhe i shkon si bisht është Hashim Thaçit.........më së miri është që të mbahet kjo seancë që ju e ndërpret qëllimisht atë ditë, duhet të votohet ajo rezolutë që e pengon Hashim Thaçin me vazhduar eksperimentin e tij të rrezikshëm për hapjen e kufijve të Kosovës, që me ia vë një pengesë të pakapërcyeshme, vetëm në këto kushte opozita pajtohet të vazhdojë jeta parlamentare “, ka thënë ai.

Konjufca tha se Thaçit i mungojnë tri elemente kryesore, pasi ai është të pa mandatë, pa ekip dhe as platformë.

Krasniqi: Të jetë një rezolutë më gjithëpërfshirëse

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e sotme e ka ftuar opozitën që të mblidhen sot përfaqësuesit e grupeve parlamentare që të dakordohen për një rezolutë më të plotë.

Krasniqi tha se asnjë rezolutë nuk mund të jetë më e fuqishme se rezoluta por ajo duhet të jetë më e plotësuar.

Sipas tij, ata janë të gatshëm që të marrin pjesë në seancën e opozitës dhe të votojnë në bazë të dakordimit, nëse edhe opozita zotohet që do të marrë pjesë në seancën e thirrur nga kryeministri Haradinaj dhe të votojë, ose të darkodohen për një seancë të përbashkët ku do të hidheshin në votim të dy rezolutat.

Krasniqi: Ta bëjmë një rezolutë të përbashkët

“Nëse vërtet qëllimi është që të merremi vesh për dialogun, unë iu ftojë që sot të mblidhemi përfaqësuesit e grupeve parlamentare, dhe ta dakordojmë rezolutën e propozuar nga PSD-ja, për çka kemi diskutuar, t’i marrim të gjitha ato elemente të propozuara dhe të dalim sot me një rezolutë e cila i përcakton pikërisht këto që i thash dhe të dalim nga ky pozicion i bllokimit  për shkak të pozicioneve apo inateve politike“, ka thënë ai.

Ai ka thënë se rezoluta duhet të përcaktojë për qëllimet e Kosovës në dialogë, vijat e kuqe, mënyrën e përfaqësimit të Kosovës por pse jo edhe të një ekipi që do ta monitorojë këtë dialog.

Deda: Sot është momenti të votohet për rezolutën kundër Thaçit

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, tha se sot ka qenë momenti i duhur që të votohet rezoluta e nisur nga opozita kundër Thaçit.

“Këtë situatë jo të lehtë në të cilën po kalojmë edhe diskutimet nuk na treguan zgjidhje, deklarativisht gjithë jemi për integritet territorial të Kosovës, ka qenë moment i mirë ta votojmë rezolutën”, tha Deda.

Ndërkohë, seancën e rregullt që po mbahet në Kuvend e ka bojkotuar LDK-ja dhe VV-ja. Ata kanë kërkuar që fillimisht të mbahet seanca e jashtëzakonshme pastaj kjo e rregullta.

***

Seanca e rregullt ka nis me bojkotimin e saj nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, të cilët ka kërkuar që fillimisht të mbahet seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga opozita.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se opozita ka kërkuar një seancë për të mos diskutuar korrigjimin e kufirit

Ai tha se vlerëson që veprimet e presidentit janë kundër kushtetuese dhe në seancën e jashtëzakonshme, opozita ka bërë një rezolutë që do t’ia ndalojmë

Hoti:Ne nuk do të marrim pjesë në seancë

“Unë iu ftojë kryetar i kuvendit që të thirreni seancën e jashtëzakonshme sipas kërkesës së opozitës, nuk është në rregull që të mbahet asnjë seancën e rregullt pa u kryer ajo e jashtëzakonshmja. Në mbledhjen e kryesisë ju keni kërkuar që të mbahet 61 deputet që të mbahet seanca, kjo është kundër kushtetuese. Krejt atë çka mund të bëj opozita është që të bëhet 41 nënshkrime, të kërkojë seancë të jashtëzakonshme dhe ju si shumicë parlamentare ta rrezoni ose ta votoni atë rezolutë. Me këtë formë të veprimit ju e keni bllokuar mbajtjen e seancën së jashtëzakonshme dhe  punimet të këtij kuvendi dhe në shenjë të kësaj ne nuk do të marrim pjesë në seancë të rregullt pa u kryer seanca e jashtëzakonshme e kërkuar nga opozita. Unë ftoj të gjithë deputetët që të na bashkohen”, tha ai

Drejtpërdrejt nga seanca e Kuvendit

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e rregullt plenare, ku janë paraparë të shqyrtohen dyzetë pika të rendit të ditës, të cilat kryesisht janë nga pika të mbetura nga seancat e kaluara.

Sipas njoftimit, seanca nis në orën 10:00, dhe ndër pikat e mbetura është edhe votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për dialogun me Serbinë. Pastaj, janë edhe dy propozim-rezoluta të deputetes Donika Kadaj-Bujupi, mbështetur edhe nga shtatë 7 deputetë, rezoluta në lidhje me çështjen liberalizimit të vizave para dialogut, si dhe ajo për shtesat e fëmijëve.

Po ashtu, është paraparë edhe shqyrtimi i parë i projektligjit për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme, projektligji për shërbimet postare, si dhe projektligje e raporte tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat