Parlamenti Evropian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Aktuale

Parlamenti Evropian voton pro liberalizimit të vizave për Kosovën

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 07:31
Parlamenti Evropian

(E plotësuar) - Parlamenti Evropian votoi me shumicë votash rekomandimin e Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme, për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Raportuesja për vizat në Parlamentin Evropian Tanja Fajon, gjatë prezantimit të rekomandimit tha se qytetarët e Kosovës e meritojnë votën pro, pasi institucionet e Kosovës i kanë përmbushur gjitha kriteret për liberalizimin e vizave.

Ajo tha se sot votohet për mandatën e dialogut tripalësh mes Parlamentit, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave.

Pas këtij votimi të Parlamentit Evropian konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat. Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat në Parlament.

Ndërkaq, menjëherë pas votimi përmes një postimi në Twitter, Fajon tha se qytetarët e Kosovës janë edhe një hap më afër udhëtimit pa viza në Evropë.

“Përpjekjet vazhdojnë me qeveritë e vendeve të BE-së dhe nuk do të ndalem derisa të liberalizohen vizat”, ka shkruar Fajon.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, tha se Kosova është “një hap më pranë regjimit pa viza”, duke shtuar se qytetarët e Kosovës “meritojnë mundësitë e njëjta”. 

Image

Fillon seanca e Parlamentit Evropian ku do të votohet për liberalizmin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian sot do të votojë rekomandimin për liberalizmin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Kjo seancë në të cilën diskutohet për rekomandimin e vizave për qytetarët e Kosovës tashmë ka filluar, edhe pse ende nuk është arritur deri tek pika e diskutimit për rekomandimin e vizave.

Më poshtë mund ta ndiqni LIVE gjithë diskutimin dhe votimin:

http://www.europarl.europa.eu/plenary/en/home.html

Parlamenti Evropian sot pritet të votojë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Evropian sot do të votojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, bënë të ditur përmes një njoftimi Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian.

Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.

Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon, raportuese për vizat e Parlamentit. Votimi në Parlamentin Evropian ishte paraparë për muajt e ardhshëm por sipas njoftimit të komitetit LIBE “disa grupe parlamentare në Parlament kanë kërkuar që votimi të ndodhë në sesionin e shtatorit”. Për liberalizimin e vizave është e domosdoshme që pajtimin ta japin edhe dy institucione kyçe të BE-së: Parlamenti Evropian dhe Këshilli i Ministrave të brendshëm të vendeve anëtare.

Të mërkurën kur raportuesja për vizat e merr mandatin për fillimin e bisedimeve me Këshillin e Bashkimit Evropian, procesi kalon në nivelin e grupeve punuese. Takimi i parë i grupit punues do të mbahet më 17 shtator.

Pasi që të përafrohen bisedimet në kuadër të grupit punues, pastaj çështja kalon në nivel të ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian, të cilët vendosin për këtë përmes votimit me një shumicë të kualifikuar.

Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat