Limaj nga Tirana i bën ftesë opozitës që të mos kalkulojë politikisht për dialogun Kosovë- Serbi

Aktuale

Limaj nga Tirana i bën ftesë opozitës që të mos kalkulojë politikisht për dialogun Kosovë- Serbi

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 16:49
Ilir Meta dhe Fatmir Limaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka qëndruar për vizitë zyrtare sot në shtetin shqiptarë.

Limaj i cili ditë më parë është votuar nga qeveria e Kosovës si udhëheqës i delegacionit për bisedimet Kosovë- Serbi është shoqëruar në këto takime edhe nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministri, Dardan Gashi.

Temë qendrore e këtyre takimeve, sipas Limajt, ka qenë dialogu Kosovë-Serbi.

Limaj ka falënderuar shtetin shqiptarë për mbështetjen e vazhdueshme që shteti shqiptarë i ka dhënë Kosovës.

“Në këto takime përçuam mesazhin se të gjithë duhet të jemi bashkë dhe se dialogu me Serbinë nuk është çështje me të cilën kalkulohet në vota”, ka shkruar ndër të tjera Limaj në llogarinë e tij në ‘Facebook’.

Më tutje, Limaj ka thënë se në dialogun Kosovë- Serbi, Kosova udhëhiqet nga deklarata e pavarësisë, nga Kushtetuta e vendit si dhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Postimi i plotë i Limajt:

Shteti shqiptar e ka ndihmuar dhe mbështetur Kosovën gjithmonë në mënyre vëllazërore dhe kjo mbështetje na u ofrua edhe sot nga drejtuesit e shtetit shqiptar dhe partitë politike në Shqipëri. Në takime të ndara sot takuam presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, kryetarin e Kuvendit, Gramos Ruçi, ish-presidentët Sali Berisha e Rexhep Mejdani si dhe kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Temë qendrore e këtyre takimeve ishte faza finale e dialogut Kosovë-Serbi. Ishte konstatim i përbashkët që Kosova duhet të hyjë në këtë proces sa më e përgatitur dhe unike para fillimit të kësaj faze të rëndësishme për vendin. Në këto takime përçuam mesazhin se të gjithë duhet të jemi bashkë dhe se dialogu me Serbinë nuk është çështje me të cilën kalkulohet në vota.

Në dialogun Kosovë-Serbi ne udhëhiqemi nga deklarata e pavarësisë, nga Kushtetuta e vendit si dhe nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Sa i përket fazës finale me Serbinë, Kosova hyn në këtë fazë me objektiva të qarta; arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila nënkupton njohjen e Kosovës si dhe anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizma tjerë ndërkombëtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat