Veseli për kufijtë: Nuk kemi çka japim, nuk duam të marrim

Aktuale

Veseli për kufijtë: Nuk kemi çka japim, nuk duam të marrim

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 15:57
Kadri Veseli dhe Lulzim Basha

Kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli që është edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës deklarohet kundër ndryshimit të kufijve.

Ai thotë se Kosova nuk ka çfarë të jap e as nuk do merr tokë nga askush.

Premtoi angazhim institucional për shqiptarëve gjithandej.

Këtë e tha ai nga Tirana, pas takimit që kishte me kryetar e Partisë Demokratike në Shqipëri, Lulzim Basha.

Ky i fundit i dha mbështetje në idenë e unitetit nacional dhe foli për dialogun Kosovë-Serbi.

Basha: Dialogu Kosovë-Serbi duhet bazuar mbi realitetin tashmë të njohur

“Dialogu midis Serbisë dhe Kosovës mund të bazohet vetëm mbi realitetin e njohur dhe pranuar gjithë botërisht dhe jo të rikthej çështje që janë mbyllur prej dekadash, e një sakrifice të jashtëzakonshme njerëzore, humbje jetësh dhe investime miliarda dollarë, euro e marka, të mijëra bijve e bijave të perëndimit që kanë shërbyer me apo pa uniformë, për të siguruar paqen dhe stabilitetin që u çimentua me pavarësinë e Kosovës”, tha Basha.

Kryetari i PD-së e vlerësoi të rrezikshme idenë e ndryshimit të kufijve.

Basha: Është e rrezikshme për stabilitetin në rajon të hapen kapitujt tashmë të mbyllur

“Është në vetvete e rrezikshme, për stabilitetin e rajonit të rihapen këto kapituj të mbyllur me sukses, përmes një investimi të përbashkët nga qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe aleatëve tanë strategjik SHBA dhe BE, sikundër që është e një rëndësi themelore që forcat themelore politike në Kosovë të bashkëpunojnë ngushtësisht për të zmbrapsur çdo lloj ofensive ndaj kësaj arritje jo vetëm për Kosovën por edhe paqen në Ballkan dhe më gjerë”, ka thënë ai.

Basha tha se duhet bashkimi i gjithë liderëve të Kosovës, madje edhe e të gjithë liderëve shqiptarëve anekënd.

Ndërsa kreu i PDK-së, Kadri Veseli ka deklaruar sikur gjatë gjithë ditës, se duhet konsensus nacional.

Kreu i Kuvendit tha se duhet një grup uniteti, me vetëm një qëllim; Kosova pjesë e OKB-së, NATO-s dhe BE-së.

Veseli: Të fillojmë me platformë nacionale

“Të fillohet platforma nacionale sa më shpejt e ballafaqimit final të Kosovës me shtetin serb e cila ka vetëm një rezultat, Kosova në OKB. Ne shkojmë vetëm me një qëndrim shumë të qartë nacional, që është vullnet i qytetarëve tanë, është vullnet i sakrificave të qytetarëve tanë, Kosova në OKB, Kosova të ecë në rrugëtimin e vet drejt BE-së, NATO-s”, tha Veseli.

Ai tha se kanë përkrahjen e gjithë miqve në Shqipëri, derisa tha se partitë shqiptare janë përkrahëset më të mëdha të pavarësisë së Kosovës.

Sipas Veselit e ardhmja e Shqipërisë dhe Kosovës është në BE dhe qetësia në Ballkan.    

Veseli: Kosova nuk ka çfarë të jap, Kosova nuk dëshiron as të marr diçka

“Kosova nuk ka çfarë të jap, Kosova nuk dëshiron as të marr diçka nga të tjerët. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, ka territorin e vet, Kosova do angazhohet fuqishëm për të drejtat e shqiptarëve kudo që janë në botë, përfshirë edhe Luginën e Preshevës, Medvegjën dhe Bujanocin”, tha ai.

Sipas tij, po punohet për stabilitetin e Ballkanit dhe nuk kanë pretendime regjionale askund. Ai rikujtoi se në Luginë nuk arrijnë as abetaret shqipe e le më shumë. Për këtë Veseli tha se do të angazhohet për të drejtat e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat