Veseli e Ruçi bëjnë thirrje për unitet të spektrit politik të Kosovës

Aktuale

Veseli e Ruçi bëjnë thirrje për unitet të spektrit politik të Kosovës

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 11:20
Gramoz Ruçi dhe Kadri Veseli

(E plotësuar) - Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë Gramoz Ruçi ka bërë apel që forcat politike në Kosovë të jenë unike sa i përket dialogut dhe marrëveshjes me Serbinë.

Ruçi pas takimit që pati sot në Tiranë me kryetarin e Kuvendit Kadri Veseli tha se dialogu është mekanizmi për të siguruar zgjidhje, për të garantuar edhe njohjen e ndërsjelle Kosovë -Serbi.

“Presim që kjo zgjidhje të jetë afatgjatë dhe në interes të Kosovës dhe gjithë rajonit”, tha Ruçi.

Ndërsa kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri veseli tha se Kosova është duke shkuar me vendosmëri në finalen e dialogut që Kosova të merr ulëse në OKB.

“Jemi krenarë që kemi partnerë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se jemi krah me vendet që janë perëndimore. Ajo që e dëmton aktualisht Kosovën është mungesa e unitetit”, tha Veseli.

Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë ishte tema kryesore e takimit të zhvilluar në mes të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli dhe kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë Gramos Ruçi.

Që të dy homologët bënë thirrje që të ketë unitet në mes pozitës e opozitës në Kosovë, për të mirë të dialogut.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka potencuar se Kosova e ka shtetin e vet të pavarur dhe se shkon në dialog për ulësen në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Veseli ka deklaruar se nuk do të ketë cenim të integritetit territorial të Kosovës, si dhe që nuk do të ketë Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive.

Veseli: Kosova e ka shtetin e vet të pavarur dhe sovran

“Kosova e ka shtetin e vet të pavarur dhe sovran, e ka Kushtetutën, shkon në dialog, mos cenim të integritetit të vet territorial, në të njëjtën kohë mos pasje të asnjë asociacioni të komunave serbe me kompetenca ekzekutive. Kosova është vendi, është shteti i pavarur dhe sovran i cili promovon mënyrën më të shkëlqyer të drejtat e komuniteteve më mirë se në cdo shtet perëndimor. Kosova do të vazhdon në mënyrë më natyrale ta zhvilloj Kushtetutën e vet, të promovoj të drejtat dhe liritë e njeriut dhe të komuniteteve. Në të njëjtën kohë jemi duke shkuar me vendosmëri procesin e finales së madhe të dialogut që Kosova të marrë ulësen e vet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, aty ku e meriton dhe në të njëjtën kohë të vazhdojmë rrugëtimin tonë shumë të qartë, rrugëtimi ynë është perëndimor. Rrugëtimi jonë është Bashkimi Evropian dhe anëtarësimi i plotë në NATO”, tha Veseli.

Ai tha se është krenar që Kosova ka partner siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se është krenar që janë në anën e vendeve të cilat janë perëndimore.

Kreu i Kuvendit u shpreh se ajo që tash po e dëmton Kosovën është mungesa e unitetit, sipas tij nuk është koha që të mendohet për egot e luftës për pushtet, por është momenti të mendohet për fuqizimin e shtetit.

Veseli: Kuvendi i Kosovës do të jetë vendi ku do të ndërtohet platforma jonë nacionale

“As nuk mundet Vuçiqi ta dëmtoj shtetësinë tonë, sovranitetin tonë me ardhjen e tij në Kosovë. Në të njëjtën kohë as një deklaratë nuk e dëmton Kosovën më shumë se mungesa e unitetit. Ne shpresojmë që qysh në ditën e nesërme e hapim një perspektivë Kosovës sonë që të jemi bashkërisht në mënyrë që në fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi të jemi bashkë pozita dhe opozita. Ne e kemi propozuar z.Limaj si udhëheqës të ekipit negociator në këtë finale të madhe të dialogut, si një pjesë e një qëllimi shumë të qartë, që të kemi konsensus mes pozitës dhe opozitës. Që bashkërisht të shkojmë t’i kryejmë obligimet që i kemi ndaj shtetit tonë në bazë të Kushtetutës, ta ndërtojmë një platformë. Kuvendi i Kosovës do të jetë vendi ku do të ndërtohet platforma jonë nacionale, e cila tërësisht bazohet në përpjekjet tona për liri, Kushtetuta e Kosovës ”, tha Veseli.

Në anën tjetër, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, tha se Shqipëria ka qenë, është dhe do të vazhdojë të jetë mbështetëse pa rezerva e dialogut Kosovë-Serbi, gjithmonë e iniciuar, të ndërmjetësuar dhe të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. 

Ruçi: Dialogu është mekanizmi më i efektshëm për të siguruar një  zgjidhje të qenësishme

“Dialogu është mekanizmi më i efektshëm për të siguruar një  zgjidhje të qenësishme dhe të qëndrueshme që do të garantonte respektimin e marrëveshjeve paraprake dhe mbi të gjitha njohjen e ndërsjellë midis Kosovës dhe Serbisë përmes një dokumenti ligjërisht të detyrueshëm siç përcaktohet qartë dhe saktë. Ne presim dhe njëherësh inkurajojmë të gjithë aktorët e përfshirë që kjo zgjidhje të jetë e drejtë, e pranueshme, të jetë afatgjatë dhe në interes të Kosovës e të gjithë rajonit.... Edhe diskutimet e fazës finale të dialogut duhet të konfirmojnë natyrshëm arritjen e një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme, që respekton tërësinë territoriale të Kosovës, formën unitare të shtetit, karakterin multietnik dhe multifetar siç parashikohet qartë dhe saktë edhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kjo është rruga e vetme për vendosje të raporteve të reja mes Kosovës dhe Serbisë për forcimin e rrugës evropiane për të dyja vendet”, tha ai.

Kreu i Kuvendit të Shqipërisë, në mesazhin e tij tha se në këtë fazë të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë të gjitha forcat politike duhet të jenë unike, duhet të ketë unitet pasi sipas tij bëhet fjalë për sovranitetin e shtetit.

Në këtë takim me kryetarin e Kuvendit të Shipërisë,  Veseli ka qenë i shoqëruar nga zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj e Dardan Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat