Haradinaj: Memoriali për sulmet e 11 shtatorit do t’i bënte nder Kosovës

Aktuale

Haradinaj: Memoriali për sulmet e 11 shtatorit do t’i bënte nder Kosovës

Më: 11 shtator 2018 Në ora: 14:38
Sulmet e 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës

Në shenjë nderimi për jetët e humbura të tragjedisë së 11 shtatorit 2001 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Qeveria e Kosovës sot ka marrë vendim për vendosjen e Memorialit të përhershëm në oborrin e Qeverisë.

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se një memorial i tillë dëshmon përkrahjen, lutjet për familjet e viktimave të 11 shtatorit, por edhe përkrahjen e institucioneve të Kosovës, për Amerikën në luftën kundër terrorizmit.

Haradinaj: Një memorial i tillë historik do t’i bënte nder Kosovës

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë prirë botës në shpëtimin e jetëve tona në kohëra të vështira të luftës së Kosovës dhe i kanë mbrojtur popujt e botës dhe këtë e ndjejmë më së shumti dhe më së miri ne, dhe është e kuptueshme ndjenja e përkrahjes, e lutjeve tona për familjet e viktimave të 11 Shtatorit, por edhe e përkrahjes së pa rezervë të popullit të Kosovës, të institucioneve, për Amerikën në luftën kundër terrorizmit... Nga ajo që u pa sot, nga mënyra e nderimit u vërtetua se një memorial simbolik, por i respektueshëm do t’i bënte nder Kosovës, institucioneve të Kosovës, Qeverisë së vendit dhe të gjithë liridashësve, dhe do ta shprehte qartë përcaktimin tonë për koalicionin tonë kundër terrorizmit”, tha kryeministri Haradinaj.

Ai kujtoi se 17 vjet më parë, më 11 shtator janë vrarë shumë njerëz të pafajshëm në sulmet terroriste në Nju Jork, Pensilvani dhe Uashington.

Ndryshe, kabineti qeveritar, kryetari i Kuvendit dhe zyrtarë të tjerë institucionalë të Kosovës, kanë bërë sot homazhe në oborrin e Qeverisë për të përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste të 11 shtatorit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat