Ramush Tahiri: Presidenti Thaçi duhet ta vizitojë Luginën e Preshevës

Aktuale

Ramush Tahiri: Presidenti Thaçi duhet ta vizitojë Luginën e Preshevës

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 20:03
Ramush Tahiri

Analisti Ramush Tahiri ka theksuar se Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të duhej t’i vizitonte komunat shqiptare në Luginën e Preshevës dhe kjo do të duhej të bëhej me vizitë zyrtare dhe me ceremoni zyrtare.

Tahiri tha për KosovaPress se kjo vizitë ka mundur të kryhet shumë më herët, para vizitës së Presidentit të Serbisë në Kosovë. Por ai tregoi se kjo vizitë nuk mund të realizohet drejtpërdrejtët mes Kosovës dhe Serbisë, por përmes Bashkimit Evropian, pasi dy shtet nuk e njohin njëra-tjetrën.

“Duhet me shku nëse është e mundur me vizitë zyrtare dhe ceremoni zyrtare. Serbia nuk e pranon as ambasadorin tonë në Beograd, por në kuadër të Zyrës së BE-së. Varet se kush ia jep lejen për vizitë dhe kush do ta pranojë si president në Serbi dhe a duhet të shkojë kjo vizitë përmes BE-së”, tha ai dhe shtoi se ka pasur zyrtarë të Kosovës që më parë kanë qëndruar në Preshevë, por që shumë herë kanë qenë të penguar.  

Ndërsa në lidhje me vizitën e presidentit të Serbisë sot në Kosovë, Tahiri tha se ka shumë rëndësi që ka kaluar mirë, pa incidente. Ai tha se Vuçiq i ka vizituar vetëm vendet që janë të banuara me popullatë serbe, ndërsa tha se kjo vizitë është organizuar me kryetarët e komunave serbe, me të ashtuquajturën Zyra serbe për Kosovë dhe Bashkimin Evropian. Kurse për deklaratat e Vuçiqit tha se “porositë e tij janë porosi që shprehin politikën e tij karshi Kosovës”.

I pyetur nga KosovaPress për krahasimin e vizitës së tij me atë të kriminelit Millosheviq në Gazimestan, Tahiri tha se “vizita e Millosheviqit u bë pas marrjes së autonomisë së Kosovës dhe pas miratimit të Kushtetutës së Serbisë”, për të cilën ishte një pakt i republikave të ish-Jugosllavisë kundër Kosovës, në mënyrë që Serbia mos t’i ngucte ato.

“Millosheviqi në Gazimestan tha se çështja serbe do të zgjidhet përmes luftërave dhe me luftë, kurse  Vuçiq nuk e përmendi luftën”, ndërsa veçoi deklaratën e tij të dhënë sot se “nuk do të kundërshtojë kancelaren Merkel”, duke cituar fjalët e tij po ashtu se “Kush është ai që ta kundërshtojë një grua kaq të fuqishme”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat