Haradinaj: Nuk rri në atë tavolinë ku diskutohet për territorin e Kosovës

Aktuale

Haradinaj: Nuk rri në atë tavolinë ku diskutohet për territorin e Kosovës

Më: 31 gusht 2018 Në ora: 11:47
Ramush Haradinaj

(E plotësuar) - Kryeministri Ramush Haradinaj, është i vendosur se nuk do të ketë diskutim për territorin dhe kufijtë në dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Këtë ai e ka bërë të qartë edhe një herë pas takimit që ka pasur sot me Presidentin Hashim Thaçi, me të cilin tha se janë dakorduar për takimin e ardhshëm në Bruksel.

Haradinaj ka thënë se ai nuk është në atë tavolinë ku diskutohet territori.

“Unë ju siguroj se pozicioni im është i qartë, në atë moment që hapet kjo temë, unë nuk jam në atë tavolinë më. Unë nuk do të qëndroj në një tavolinë ku hapet kjo temë... Edhe brenda nesh nëse flet dikush që opsion për t’u marrë vesh me Serbinë është kjo, atëherë unë nuk jam në tavolinë”, tha Haradinaj.

I pari i Qeverisë, shtoi se u intereson dialogu dhe arritja e një marrëveshje, por jo diskutimi për kufirin dhe territorin.

“Ka një kohë të gjatë që ekziston një teori e marrjes vesh shqiptaro-serbe më herët. Do të thotë kjo është nga koha e ish kryeministrit Gjingjiq gati, edhe e mbajtën gjallë më tutje. Diskursi ka ndryshuar, ka pasur diskutime të çuditshme edhe në Kosovë. Pozicioni im është i qartë, e kam bërë të qartë, e kam bërë në mënyrë korrekte, profesionale, transparente”, theksoi ai.

Ai nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në takimin e 7 shtatorit, por ka shprehur dëshirën e tij që me këtë temë të merret shefi i kabinetit, Avni Arifi. Ndërsa, i pyetur për seancën e thirrur nga opozita, Haradinaj ka thënë se është një ngjarje politike, dhe të tilla disa herë i ka thirrur edhe ai vet, por nuk ka pasur ndonjë epilog.

Zyra e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, edhe sot do të jetë vendtakimi i liderëve institucionalë.

Kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli dhe zëvendëskryeministrat Fatmir Limaj dhe Dardan Gashi do të kenë edhe sot një takim në zyrën e të parit të vendit.

Ndryshe, takimi po mbahet rreth një ore para se kryeparlamentari Kadri Veseli të dal në konferencën e jashtëzakonshme të thirrur për në ora 12:00.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat