Sa do të paguajnë qytetarët për kurban

Aktuale

Sa do të paguajnë qytetarët për kurban

Më: 20 gusht 2018 Në ora: 17:27
Foto ilustrim

Ende nuk dihet se sa është numri i kurbanave që do të therren këtë vit për nder të festës së Kurban Bajramit. Në Bashkësinë Islame të Kosovës i kanë thënë se pagesa dhe porositë për kurban janë duke vazhduar edhe sot. Ndërsa edhe këtë vit, çmimi për kurban sikurse edhe viteve të tjera është 120 euro.

Më shumë se 8 mijë kurbane u therrën vitin e kaluar nga Bashkësia Islame e Kosovës për nder të festës së Bajramit. Numër i njëjtë i kurbaneve pritet të jetë edhe këtë vit.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se ende nuk e kanë numrin e saktë të kurbanëve që do të therren.

Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu i ka thënë se pagesa dhe porositë për kurban janë duke vazhduar edhe sot, dhe se ende nuk e kanë numrin e saktë të porosive. Por, thotë se pritjet janë të njëjta me numrin e vitit të kaluar.

“Numrin e sakte ende nuk e kemi sepse besimtarët ende vazhdojnë me porositë e tyre. Siç janë të informuar besimtarët, pagesa-porosia për kurban bëhet deri sonte ( nata e Kurban Bajramit ) eventualisht deri ne ditën e parë të Kurban Bajramit, kështu që nuk mund të ju japim një numër të saktë. Pritjet tona janë të njëjta me numrin e vitit të kaluar”, ka thënë Sadriu.

Edhe këtë vit, BIK-u ka zgjedhur Hungarinë si vend ku do të bëhet prerja e kurbaneve. Kjo për shkak të kualitetit të kurbaneve. Ndërsa, çmimi që duhet të paguajnë qytetarët për kurbane edhe këtë vit është 120 euro.

E sipas një përllogaritje të thjeshtë, vetëm për kurbane nga xhepat e kosovarëve çdo vit harxhohen rreth 1 milionë euro.

“Edhe këtë vit , qysh e kemi njoftuar opinionin, prerja e kurbaneve do të bëhet në Hungari. Arsyet pse prerja e kurbanave bëhet në Hungari tashmë veç i janë të njohura besimtarëve dhe opinionit publik.

Çmimi i kurbanit është publikuar më herët në të gjitha xhamitë e Kosovë por edhe në medie, ai edhe këtë vit është 120 euro. Në këtë rast BIK-u vetëm e përcjell emanetin e besimtarëve, duke e bërë prerjen e kurbanave”, thuhet në përgjigjet e Sadriut.

Por, jo të gjitha kafshët mund të therren për kurbane. Sadriu tregon se kafshët që mund të bëhen kurbanë janë lopa(biku), deveja, delja (dashi), buallica (bualli) dhe dhia (cjapi). Ndonëse, edhe për këtë kafshë ka përjashtime.

“Por për të gjitha këto ka kushte, lopa   dhe buallica duhet ti kenë  dy vjet, dhe të jene pa ndonjë te mete fizike , deveja duhet t'i këtë pese vite, kurse delja dhe dhia duhet të kenë një vit ose nëse janë te zhvilluara bën edhe 6 muajshe.”

Përveç kurbanit, karakteristikë tjetër e kësaj feste është edhe shkuarja në haxh.

Më shumë se 1 mijë burra e gra nga Kosova kanë marrë rrugën për në vendet e shenjta, Meke dhe Medine. E gjithë kjo për të kryer një nga obligimet e islamit, Haxhin.

Por, këtë vit atyre u është dashur të paguajnë më shumë, ngase çmimet e shërbimeve në Arabinë Saudite janë ngritur.

Gjithsej 1 mijë e 80 besimtarë nga vendi janë nisur këtë vit në Haxh, gjersa sipas një llogaritje për këtë rrugëtim ata kanë shpenzuar mbi 4 milionë euro. Ndërsa, krahasuar me vitin e kaluar, numri i besimtarëve që kanë shkuar në haxh nuk është se ka ndryshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat